Lidhje

Zgjedhjet presidenciale si 50 zgjedhje të veçanta


Dita e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara ndryshon nga shumë vende të tjera sepse këtu nuk zhvillohet një votim i vetëm në gjithë vendin. Çdo shtet ka rregullat e veta për ditën e zgjedhjeve.

'E marta e parë e nëntorit në Shtetet e Bashkuara është ditë zgjedhjesh. Në secilin prej 50 shteteve dhe në Distriktin e Kolumbias, mbahen zgjedhje për shumë zyra publike, votuesit duhet t’u përgjigjen pyetjeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme, dhe çdo 4 vjet ata zgjedhin edhe presidentin.

Kushtetuta amerikane është plot me të drejta dhe mbrojtje për qytetarët e saj, por siç thotë profesori i Universitetit Georgetown, Mark Rom, votimi nuk është medoemos një prej këtyre të drejtave.

“Dikush do të mendonte se e drejta për të votuar është po aq qëndrore për qytetarët sa edhe e drejta e lirisë së shprehjes, apo e besimit fetar apo e nënshkrimit të peticionit për qeverinë. Por kjo nuk është e vërtetë. Kërkesat për të votuar janë kryesisht të caktuara nga shtetet dhe pak a shumë shtetet mund të përdorin standartet e tyre”.

Në bazë të ligjit federal, mosha minimale për të votuar është 18 vjeç.
Por profesori Rom thotë se përveç moshës, ka shumë pak aspekte të tjera të ngjashme.

“Kemi të bëjmë me 50 shtete të ndryshme dhe me 50 ligje të ndryshme shtetërore për sa i përket kohës së votimit, procesit të regjistrimit për të votuar, qendrave të votimit, si mund të votosh në mungesë e të tjera. Të gjitha këto hollësi rreth zgjedhjeve përcaktohen nga ligji i secilit shtet dhe jo nga ligji federal”.

Votimi në mungesë, të cilit i referohet profesori, shfrytëzohet nga qytetarët që janë larg zonës së banimit në ditën e zgjedhjeve, si për shembull në ushtri, me studime ose me pushime.

Gjatë viteve të fundit, është praktikuar edhe i ashtuquajturi “votim i hershëm”. Rreth dy të tretat e shteteve lejojnë qytetarët e tyre të votojnë një muaj ose edhe më shumë përpara ditës së zgjedhjeve në nëntor.

Një numër shtetesh kanë miratuar tashmë ligje, që u kërkojnë votuesve të tregojnë një kartë identiteti në qendrat e votimit për të provuar identitetin e tyre. Përkrahësit e këtyre ligjeve thonë se ato janë të nevojshme për të parandaluar manipulime në zgjedhje. Kundërshtarët thonë se, në bazë të statistikave, një manipulim i tillë është tepër i vogël që të përbëjë problem, madje akuzojnë se ligje të tilla synojnë të mohojnë të drejtën e votës.

Ekziston edhe një mënyrë tjetër që provon se zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë si 50 zgjedhje të veçanta.

Në bazë të kushtetutës, qytetarët, që hedhin votën për presidentin, në fakt zgjedhin 538 njerëz të cilët përbëjnë të ashtuquajturin “Kolegji Zgjedhor”, i cili funksionin në baza shtetërore. Dhe janë pikërisht këta 538 njerëz që zyrtarisht zgjedhin presidentin:

“Numri më i rëndësishëm është 270, numri i anëtarëve të “Kolegjit Zgjedhor”, që i siguron kandidatit fitoren për në Shtëpinë e Bardhë. Dhe çdo kombinim që e çon kandidatin tek shuma prej 270, është pikërisht objektivi përfundimtar i çdo kandidati”.

Zoti Johnson thotë se “Kolegji Zgjedhor” është arsyeja që kandidatët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në ato pak shtete të ashtuquajtura “shtete të betejës”, që ata besojnë se do t’u sigurojë atyre numrin total prej 270 votash të anëtarëve të “Kolegjit Zgjedhor”.
XS
SM
MD
LG