Lidhje

Uashington, vazhdon punimet takimi i nivelit të lartë për garantimin e sigurisë së materialeve bërthamore


Takimi i nivelit të lartë për garantimin e sigurisë së materialeve bërthamore vazhdon sot për ditën e dytë dhe të fundit në Uashington. Presidenti Barak Obama, i cili kryeson këtë takim, thotë se rreziku i një sulmi bërthamor është shtuar ndërsa terroristët kërkojnë të zotërojnë materiale bërthamore. Sot në ditën e dytë të takimit, presidenti parajamëroi se udhëheqësit botërorë duhet të veprojnë dhe jo vetëm të flasin rreth garantimit të sigurisë së materialeve bërthamore.

Fjalën e sotme presidenti amerikan e hapi, duke kujtuar e nderuar presidentin e Plonisë, bashkëshorten e tij dhe shumë zyrtarë të lartë polakë, që humbën jetën të shtunën, kur aeroplani i tyre u rrëzua ndërsa po shkonte në Rusi. Presidenti Obama u kërkoi të pranishmëve të mbanin një minutë heshtje për nder të viktimave.

Sot presidenti Obama do të takohet edhe me kryeministrin e Turqisë, Recep Tajip Erdogan, presidenten e Argjentinës Kristina Fernandez de Kirshner dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. Presidenti Obama shpreson të realizojë objektivin e kërij takimi dhe nëkëtë drejtim dita e djeshme ishte premtuese.

Takimi i Uashingtonit i kryesuar nga Presidenti Barak Obama duket se solli menjëherë një farë rezultati pasi Kina ra dakord të punojë me Shtetet e Bashkuara për sanksione të mundshme më të ashpra kundër Iranit dhe Ukraina njoftoi se do të eliminojë uraniumin e pasuruar që përdoret për prodhimin e armëve.

Presidenti Obama e hapi takimin mbi sigurinë globale dje mbasdite pasi për dy ditë zhvilloi takime dypalëshe me disa presidentë dhe kryeministra të 47 vendeve të mbledhur në Uashington për të përforcuar përpjekjet që materialet bërthamore të mos bien në duart e terroristëve.

Angazhimi i Kinës, duke iu afruar synimeve të Shteteve të Bashkuara për të vënë sanksione kundër Iranit dhe planet e Ukrainës për eliminimin e uraniumit të pasuruar u jep shtytje planeve të Presidentit Obama, ndërsa ai u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të bashkëpunojnë me të për të garantuar sigurinë e të gjitha materialeve bërthamore brenda katër vjetësh. Ja si u shpreh zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs.

“Sot Ukraina njoftoi një vendim të rëndësishëm për të eliminuar të gjithë arsenalin e uraniumit të pasuruar deri në takimin e ardhshëm të sigurisë bërthamore në vitin 2012. Ukraina synon të eliminojë një pjesë të madhe të stoqeve të saj që këtë vit. Ukraina do të konvertojë qendrat kërkimore të materialeve bërthamore për qëllime civile në mënyrë që ato të funksionojnë me uranium të pasuruar të nivelit të ulët”.

Zëdhënësi Gibs tha se presidenti Obama synon që takimi i nivelit të lartë të përfundojë edhe me angazhimin e vendeve të tjera.

“Vendet pjesëmarrëse në takim mund të luajnë role të ndryshme. Disa prej tyre kanë uranium të pasuruar, për të cilin kërkojmë të garantohet siguria, të tjerë e kanë këtë uranium dhe janë gati ta eliminojnë ose të garantojnë sigurinë nëse vendosin ta mbajnë”.

Nënpresidenti Joe Biden priti udhëheqës dhe zyrtarë nga 11 vende të lëvizjes së vendeve të paangazhuara nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Ai paralajmëroi që të mos shtohen armë bërthamore apo shtetet me armë bërthamore.
Presidenti Obama ka kërkuar për një farë kohe vendosjen e raundit të katërt të sanksioneve kundër Iranit dhe deri tani Kina kishte shfaqur rezervime për një gjë të tillë nga shqetësimi se ky hap do të dëmtonte marrëdhëniet e saj me Teheranin.

Shtetet e Bashkuara gëzojnë tani mbështetjen e fortë të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë. Edhe Rusia është treguar e gatshme të bashkohet në përpjekjet për vendosjen e sanksioneve, duke bërë kështu që vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të jenë të bashkuara në këtë përpjekje.

Takimi përfundon sot me një deklaratë të përbashkët, që do të përmbajë objektiva të qarta rreth punës në të ardhmen për të eliminuar dhe garantuar sigurinë e materialeve bërthamore që ende mund të zotërohen me lehtësi nga grupe militante.

XS
SM
MD
LG