Lidhje

Trafiku i drogës me avion, shpërthejnë polemikat


Avioni i tipit “Piper” i shtetasit italian Giorgio Riformato mësohet se kishte zbritur në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës të enjten e shkuar, pas një lejeje të rregullt nga autoritetet shqiptare. Dje, sipas njoftimit zyrtar, ai ishte ngritur nga pista me destinacion Italinë, në orën 13.26 minuta. Pas një farë kohe avioni ka humbur komunikimin me kullën shqiptare të kontrollit. Kjo e fundit mësohet se ka kërkuar nga një tjetër avion linje që po fluturonte në të njejtën zonë të përpiqej të komunikonte me avionin privat. Por sërish lidhja nuk është vendosur.

Burime zyrtare konfirmojnë se pas këtij momenti është dhënë alarmi dhe janë njoftuar autoritetet ushtarake dhe policore, duke u komunikuar se kontakti i fundit me avionin privat, kishte qenë në hapësirën pranë plazhit të Spilles në zonën e Kavajës. Të njejtat burime tregojnë se policia e kufirit ka vërejtur më pas se avioni ka bërë tre rrotullime nga zona e Spillesë deri në Divjakë, ku më pas ka tentuar edhe uljen. Një avion i cili ulet në mes të ditës në plazh ka rënë në sy edhe të banorëve të zonës të cilët gjithashtu kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit ka bllokuar zonën. Ndërkohë avioni ka mbetur i bllokuar për shkak të dëmtimeve që kishte marrë gjatë uljes. Sipas ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri: “Pretendimi i shtetasit Italian është se ka bërë ulje të detyruar për shkak të defektit teknik, gjë që pritet të verifikohet nga hetimet. Paralelisht nga Policia e Shtetit dhe policia kufitare e zonës, së bashku me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, është bërë rrethimi i zonës, ku dhe është identifikuar një makine tip “Mitsubishi” me targe “AA 794 EU” me një ngarkese drogë të llojit hashash, si dhe disa çanta me lëndë narkotike në afërsi të saj. Në vlerësimet paraprake, mendohet të jenë rreth 460 kg kanabis”.

Makina ishte braktisur nga drejtuesi i saj, Sajmir Bajrami,35 vjec i cili jetonte në Itali. Ai u kap pak orë më pas. Bajrami, sipas informacioneve nga policia ishte rikthyer në Shqipëri, po të enjten, ditën kur ka mbërritur në aeroport edhe avioni italian. Riformato, 68 vjecar nga krahina e Vareses në Itali ka mohuar lidhjet me Bajramin, ndërkohë që ky i fundit, mësohet të ketë thënë gjatë marrjes në pyetje se droga në mjetin e tij do të ngarkohej pikërisht në avionin e ulur në Divjakë.

Ngjarja koincidon me një moment kur prej javësh në Shqipëri zien debati politik për rritjen e trafikut të drogës. Ishte opozita e cila ngriti e para dyshimet. Fillimisht u fol se ishte përdorur pista e ish bazës ajrore ushtarake të Gjadrit. Ministria e Mbrojtjes e mohoi, e më pas edhe shërbimet sekrete deklaruan se nuk kishin prova për një trafik nga kjo bazë. Por në një letër të shërbimeve sekrete drejtuar ministrisë së Mbrojtjes flitej për dyshime mbi avionë që ishin ulur në zonën e Divjakës dhe në atë mes Tepelenës dhe Gjirokastrës. Edhe opozita i mëshoi disa herë këtij fakti.

Reagimi i saj ishte i ashpër edhe dje. I pari ishte ish kryeministri Sali Berisha i cili përmes një mesazhi në Facebook shprehej se, sipas tij, shumica “e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e Europës”. Por nga ana tjetër, pak më vonë, po përmes Facebook-ut, kryeministri Rama do të përgjigjej se “Operacioni antidrogë është prova e fortë e radhës se shteti po ringrihet me shpejtësi e Policia e Shtetit është kthyer në krye të detyrës", tha Rama. Por për ish kryeministrin, nuk kishte patur asnjë operacion policor, dhe se avioni ishte detyruar të ulej sipas tij, për shkak të ngarkesës së madhe me drogë të marrë që në aeroportin e Tiranës, shprehej ai.

Të njejtës linjë ju përmbajt në mbrëmje vonë edhe kryetari demokrat Lulzim Basha: “Megjithë përpjekjet e mëdha të kartelit të drogës, Ministrit të Brendshëm, dhe shefit të tij, Edi Rama për pastrimin maksimal të skenës së krimit në Divjakë, prapëseprapë, e vërteta e trafikut të lëndëve narkotike me avionë në territorin dhe hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë sot u plasi mbi kokë qeveritarëve, zyrtarëve dhe narkotrafikantëve të bashkuar në bandën më të rrezikshme të krimit të organizuar që Shqipëria ka njohur gjatë 23 vjetëve demokraci”.

Sipas zotit Basha, ngjarja e djeshme ishte dëshmi e lidhjeve të forta të qeverisë me narkotrafikun dhe provoi shqetësimet dhe akuzat e ngritura më parë nga opozita: “Sot, ata që më demek janë tallur e kanë qeshur me akuzat e opozitës, janë vetëpaditur para opinionit publik si bashkëpunëtorë të hapur me narkotrafikantët. Sot bashkë me avionin e drogës ka rënë edhe çdo kufi mes narkotrafikantëve dhe qeverisë dhe ata kanë dalë para qytetarëve të këtij vendi por edhe para mbarë botës , si një. Sot bashkë me avionin e drogës ka rënë edhe qeveria e mashtrimeve dhe dështimeve. Nuk ka rrotë apo mushkonjë ta shpëtojë nga gjykimi i drejtë i popullit”.

I menjëhershëm ishte sërish reagimi nga partia socialiste përmes nënkryetarit të grupit Erion Brace, sipas të cilit operacioni policor ishtë dëshmi e angazhimit të qeverisë në luftën kundër krimit e trafiqeve: “Çdo shqiptar, mori provën e radhës së një Qeverie të angazhuar fort në shkëputjen e çdo lidhje të hershme e të konsoliduar mes krimit dhe këtij vendi, të përdorur gjatë, për 8 vjet me radhë, për trafiqe gjithfarësh, përfshirë trafikun e njerëzve, drogës, armëve. Sot, nuk shpëtoi kush, as u fsheh e as përfundoi në drejtim të paditur. Sot, u godit një tentativë për të ngritur një linjë trafiku të drogës. U arrestua cilido që u identifikua si i përfshirë në të dhe hetimi vazhdon”.

Ngjarja e Divjakës pritet të ndezë edhe më shumë debatet mes palëve të cilat prej kohësh janë përfshirë në luftë akuzash të ashpra mes tyre
XS
SM
MD
LG