Lidhje

Tiranë: Divorcet e prindërve dhe vështirësitë ekonomike të fëmijëve


Qendra për Nisma Ligjore Qytetare ka publikuar një studim mbi vendimet e Gjykatës së Tiranës për divorcet dhe mbrojtjen e fëmijëve pas tyre.

Monitorimi përfshiu 655 vendime gjyqi për divorcet e vitit të kaluar, nga doli se në mbi 60 për qind të rasteve paditëse janë zonjat dhe pjesa tjetër janë burrat.

Zonjat kërkojnë divorcin në gjykatë dy herë më shumë se bashkëshortët e tyre.

Profili i paditëseve është kryesisht një grua, e punësuar, që jeton brenda vendit, me arsim të mesëm, që i përket grupmoshës 35-45 vjeç, me një fëmijë, të moshës 11-18 vjeç.

Pjesa më e madhe e tyre, rreth 45 për qind, kanë nga një fëmijë, rreth 40 për qind kanë nga dy fëmijë, nga tre fëmijë kanë rreth 10 për qind dhe pjesa tjetër më shumë se tre.

Monitorimi nxori se gjykata nuk vepron mbi masa të paracaktuara të detyrimit ushqimor për fëmijët.

Ligji nuk përcakton kufij për këtë detyrim, por as gjykatat nuk kanë marrë ndonjë vendim unifikues dhe as ndonjë studim mbi këtë temë ekonomike delikate.

Prej këtyre mungesave, vendimet gjyqësore merren a priori, sepse mungon logjika ekonomike dhe praktika e unifikuar e gjykatës.

Akoma më befasues është fakti se afro gjysma e gjyqeve për divorc zonjat nuk kanë kërkuar ndonjë shumë të caktuar nga gjykata për të rritur fëmijët.

Asnjë vendim gjyqi nuk ka brenda llogaritje mbi shpenzimet që i nevojiten zonjave për të mirërritur dhe edukuar fëmijët pas divorcit.

Studiuesit mendojnë që gabimet në hartimin e padive dhe vendime gjyqësore vijnë prej faktit se në gjysmën e proceseve gjyqësore për divorc zonjat paraqiten pa avokat mbrojtës, por edhe kur kanë avokat, ata nuk janë të përgatitur në këtë pikëpamje.

Në rreth 65 për qind të vendimeve të divorcit në gjykatën e Tiranës gjyqtarët nuk janë shprehur mbi masën e detyrimit ushqimor për fëmijët.

Gjykata i kushton një vëmendje të veçantë në vendim arsyetimit për prindin që do t’i lihen fëmijët dhe nuk i kushton të njëjtën vëmendje caktimit të detyrimit ushqimor për ta.

Madje në mënyrë antiligjore, në ndonjë rast nuk caktohen detyrime ushqimore, sepse të dy prindërit janë pa punë, kur kodi i familjes thotë se prindërit nuk shkarkohen nga detyrimi për ushqim ndaj fëmijëve të tyre, edhe sikur t’u jetë hequr përgjegjësia prindërore.

Ligji nuk lejon që vetë fëmija të heqë dorë nga detyrimi prindëror, siç ka ndodhur në ndonjë rast.

Para se të marrë një vendim kompensimi, gjykata duhet të bëjë vlerësimin e nevojave të secilit fëmijë dhe mundësive ekonomike.

Studimi mbi vendimet e divorceve zbuloi se në 70 për qind të rasteve vendimet gjyqësore për pensionet ushqimore nuk zbatohen, ose pse burri është pa punë, ose punon në të zezë dhe nuk deklaron pagën, ose se burri është në emigrim, ose në burg, zyra e përmbarimit nuk zbaton vendimin.

Sipas Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, këto janë shkelje të të drejtave njerëzore për nënën dhe fëmijët ndaj nevojitet vëmendja e gjykatave, ministrisë së drejtësisë, zyrave të përmbarimit shtetëror e privat, si dhe të avokatëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG