Lidhje

Programi “Djepi i Engjëjve” dhe Organizata për Mbështetjen e Fëmijëve të Braktisur të Shqipërisë


Programi "Djepi i Engjëjve" është kujdesur deri tani për mbi 600 fëmijë ose mbi foshnje të braktisur çdo vit.

Në spitalin obstetrik gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” të Tiranës, midis shumë pavioneve të tjera, është edhe një repart i vecantë që kujdeset për fëmijët e braktisur. Dhjetëra vullnetarë të huaj, kryesisht nga familjet e diplomatëve dhe organizatave ndërkombëtare i janë bashkuar Organizatës për Mbështetjen e Fëmijëve të Braktisur të Shqipërisë. Programi Djepi i Engjëjve është kujdesur deri tani për mbi 600 fëmijë ose mbi foshnje të braktisur çdo vit.

Betsi Ferries është një prej vullnetareve amerikane më aktive dhe anëtare bordi e organizatës. Ajo ka 4 fëmijë dhe dy prej tyre i ka të birësuar, nga Somalia dhe nga Korea e Jugut. Kjo ndjeshmëri ka qenë shtysa që ajo i është bashkuar prej dy vjetësh programit "Djepi i Engjëjve". Bashkëshorti punon me një projekt në Shqipëri, ndërsa ajo u bë vullnetare e "Djepit të Engjëjve", ku marrin pjesë edhe shumë amerikanë të tjerë, disa biznese dhe vullnetarë vendas. Ata kujdesen për fëmijët, mbledhin ndihma dhe fonde për fëmijët e braktisur.

“Buxheti aktual është 36-37 mijë dollarë në vit - thotë Betsi - Ai përdoret për kujdesin ndaj 50 foshnjave në vit. Një pjesë e dhuruesve janë nga Shtetet e Bashkuara dhe tani ka një rritje prej dhuruesve shqiptarë. Na gëzon fakti - thotë ajo - që shqiptarët tani na besojnë dhe na japin fonde për foshnjat e braktisura”.

Organizata zhvillon takime për grumbullim fondesh, ku përfshihen përherë e më shumë njerëz, ku dhurues ndërkombëtarë dhe shqiptarë bashkohen mbi një cështje humanitare dhe shtojnë entuziazmin mbi këtë program. Vullnetarë të tjerë vijnë për disa javë nga Austria, nga Belgjika, takohen me grupin amerikan të vullnetarëve dhe shkëmbejnë përvojën në ndihmë të fëmijëve.

“Shqipëria ka të vetmin program fëmijësh në botë, ku vullnetarët mikpriten me krahë hapur, trajnohen, mësojnë procedurat dhe marrin një përvojë të jashtëzakonshme. - thotë Betsi. - Këta janë vullnetarë të përkohshëm, por në Tiranë janë mbi 45 vullnetarë ndërkombëtarë të përhershëm, shumica amerikanë, që i kushtojnë këtij programi shumë kohë. Vetëm vitin e kaluar ata punuan 750 orë me këtë program” - shton ajo.

Mira Asllani, është punonjëse sociale në këtë pavion, që dikur funksiononte në kushte të vështira. Ajo thotë se kjo qendër po shërben për dy gjëra; po kujdeset për fëmijët, dhe është një portë për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë dhurime. Shumica këtu janë fëmijë jashtë martese nga zonat rurale, me rrethana të vështira në familje. Zakonisht foshnjat mbahen disa javë deri në dy muaj. Pastaj dërgohen në shtëpinë e fëmijës për kujdes dhe birësim të mëtejsëhm. Sa më shpejt të dalin nga spitali aq më mirë është për birësimin e tyre.

“Ata janë vetëm disa fëmijë pa prindër - thotë Betsi. - Kujdesi për ta duhet të vazhdojë, pavarësisht nga kostot dhe vështirësi. Mesazhi im thekson se ky është një program shumë i bukur; cdo cent shkon për këta vogëlushë, - shton ajo. - Ndërsa vendi kërkon gjithnjë e më shumë demokraci, ndonjëherë të kesh një fëmijë është gjithnjë e më shumë e pamundur”.

Vullnetarizmi dhe bamirësia po rimëkëmben në Shqipëri bazuar në modelet dhe mbështetjen e nismave perëndimore në shumë fusha të çështjeve sociale. Por "Djepi i Engjëjve" është një program që ka zgjedhur të mbështesë pjesën më të brishtë të shoqërisë; foshjat që janë braktisur nga prindërit e vet; për të dhënë mesazhin se shoqëria e bashkuar mund të tejkalojë cdo pengesë ekonomike dhe çdo mendësi të vjetër.

XS
SM
MD
LG