Lidhje

Dokumentar për studimin e fesë islame nga gratë


Një numër në rritje grash në vende islamike janë përqëndruar seriozisht në studimin e fesë së tyre, duke mësuar përmëndësh Kuranin, duke mësuar ta recitojnë atë si duhet dhe duke studjuar aspekte të tjera të islamizmit, thonë studiuesit. Një dokumentar rreth një shkolle për vajzat në Siri, e administruar nga një predikuese, tregon se si një formë e tillë mund të shërbejë si mjet për më shumë liri për gratë.

Predikuesja siriane Houda al-Habash hapi shkollën e saj verore për vajza për të studjuar Kuranin në vitin 1982, duke dhënë mësime për më shumë se 30 vjet në një xhami të Damaskut, siç shihet në filmin The Light in Her Eyes.

Vajzat mësojnë përmëndsh Kuranin, rresht pas rreshti, praktikojnë recitimin e tij si dhe studjojnë aspekte të tjera të Islamizmit.

Regjisoret amerikane Julia Meltzer dhe Laura Nix thonë se ato donin të tregonin se si jeton një grua muslimane si Houda al-Habash dhe çfarë mëson ajo.

“Ajo ka bindjen se gratë duhet të mblidhen në xhami. Ato duhet të studjojnë seriozisht. Ajo do që gratë të arsimohen dhe të punojnë, nëse e duan një gjë të tillë. Natyrisht që ekzistojnë elementë kulturorë që nuk mbështesin një gjë të tillë, por ajo beson se e vetmja mënyrë që kjo të ndryshojë është nëpërmjet fesë islame”.

Al-Habash thotë se arsimi konsiderohet si një formë adhurimi në fenë islame, madje ajo nuk pranon predikimin e klerikëve konservatorë, që thonë se gratë duhet të qëndrojnë në shtëpi.

“Vetë muslimanët u kanë privuar grave çdo gjë, madje edhe të drejtën për të mësuar, predikuar dhe për të hyrë në xhami. Kjo është injorancë dhe nuk ka fare të bëjë me fenë”.

Ajo vetë është konservatore dhe beson se në bazë të fesë islame gratë duhet të mbulojnë kokën dhe të bëjnë punët e shtëpisë, megjithatë al-Habash dëshiron që vajzat ta dinë se ato mund të arrijnë më shumë në jetë, siç u shpjegon ajo atyre në këtë klasë diplomimi:

“Ju keni të drejtë të zgjidhni drejtimin e jetës tuaj, jeni të lira të mendoni si të doni, të praktikoni fenë tuaj dhe të bëni çdo gjë që dëshironi. Gratë mund të bëhen studente dhe mësuese, ato mund të marrin vendime dhe të arbitrojnë. A e lejon ligji fetar një grua të bëhet presidente? Po!”.

Regjisoret Meltzer dhe Nix e filmuan The Light in Her Eyes në Damask dhe e përfunduan atë pak para fillimit të kryengritjes në vitin 2011. Ato nuk kishin lejen e qeverisë dhe xhirimin e bënë në qetësi dhe pa bujë.

“Ne nuk u ndjemë kurrë në rrezik, por ne e dinim se në çdo moment mund të na kërkohej të ndalonim filmimin. Sfida më e madhe ishte për Houda që ne të ishim pjesë e jetës së saj, përfshirë edhe punën e saj në xhami, sepse rreziku për të ishte shumë më i madh”.

Filmi debutoi në Shtetet e Bashkuara në rrjete të televizionit publik. Al-Habash dhe familja e saj ikën nga Siria këtë verë, ndërsa dhuna përhapej. Ajo shpreson ta rihapë shkollën e saj sapo në Siri të rikthehet paqja.

XS
SM
MD
LG