Lidhje

Mjeku liberian vdes nga virusi Ebola


Një nga mjekët kryesorë të spitalit më të madh në Liberi, ka vdekur nga Ebola. Ministria liberiane e Shëndetësisë thotë se doktor Samuel Brisbane vdiq dje në një qendër për trajtimin e Ebolës, në rrethinat e kryeqytetit, Monrovia.

Ai është mjeku i parë liberian që vdes në një epidemi që Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ka shkaktuar vdekjen e 129 vetëve në vend.

Organizata amerikane e ndihmave Samaritan’s Purse thotë gjithashtu se edhe një doktor amerikan që punon në Liberi, ka rezultuar pozitiv nga virusi vdekjeprurës.

Një zëdhënëse e organizatës thotë se Dr. Kent Brantley po i nënshtrohet një trajtimi intensiv mjekësor. Ajo thotë se pacientët kanë më shumë shanse për të mbijetuar, nëse marrin kurim menjëherë sapo preken nga virusi, siç veproi Dr. Brantley.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se virusi jashtëzakonisht ngjitës i Ebolës ka shkaktuar vdekjen e të paktën 672 vetëve në katër vende afrikane që kur epidemia shpërtheu para disa muajsh.

XS
SM
MD
LG