Lidhje

Një dokumentar frymëzues për maratonën e Bostonit


Më 15 prill të vitit 2013, sulmi me bombë gjatë Maratonës së Bostoni tronditi mbarë botën. Dy bomba që shpërthyen njëra pas tjetërs, me një interval prej 12 sekondash, në vijën e finishit të garës së famshme, ka 3 persona të vrarë dhe rreth 264 të tjerë të plagosur, të cilët morën ndihmë mjekësore urgjente në 27 spitale lokale. Të paktën 14 persona humbën gjymtyrë për shkak të sulmit. Filma si "Dita e patriotëve" përshkruajnë dramaticitetin e atyre ngjarjeve. Por dokumentari i kohëve të fundit i Jon Dunhamit, i titulluar "Boston", nën rrëfimin e aktorit nga Bostoni Matt Damon, i hedh një vështrim maratonës së njohur përtej bombardimit, duke na njohur në mënyrë kronologjike me zanafillën e garës që nga fillimi i saj në vitin 1897, e deri në vitin 2014, një vit pas sulmit.

Duke patur parasysh përmasat e garës, entuziazmin e 36 mijë pjesëmarrësve dhe shpirtin e komunitetit që u shfaq gjatë Maratonës së Bostonit të vitit 2014, askush nuk do ta kishte marrë dot me mend se një vit më parë, kjo garë, pjesëmarrësit e saj dhe vetë qyteti ishin goditur rëndë nga një sulm terrorist. Sulmi e preku thellë regjisorin e filmave Jon Dunham, i cili vetë është maratonist dhe që kishte patur në plan prej vitesh, para se të ndodhte sulmi, të bënte një dokumentar lidhur me historinë e garës.

“Isha i pushtuar nga shumë ndjenja njëkohësisht. Sigurisht, që ndjeja dëshpërim të thellë për atë që kishte ndodhur. Që kur shkova në Boston në janar të vitit 2014, fillova të bëja çdo ditë ecejake në rrugën Boylston dhe nuk kishte ditë që nuk mendoja se si kishte ndodhur ai sulm."

Dokumentari tij "Boston" nuk fokusohet tek dhimbja dhe frika e vitit 2013. Ai e paraqet kronikën e Maratonës së Bostonit, si një ngjarje që ka nxitur vepra bamirësie, unitet dhe fuqi njerëzore, që në zanafillën e saj.

“Maratona e Bostonit, një fushë e mbushur me yje botërore…Një garë e vështirë vrapimi prej 26 miljesh…Turma spektatorësh, duke brohoritur anës rrugës…" dëgjohet në rrëfimin që shoqëron dokumentarin.

Filmi i Jon Dunhamit na njeh me shtimin e masivitetit të kësaj ngjarjeje në vite. Gara është bërë përherë e më selektive, vrapuesit gjithmonë e më të shpejtë. Ata vijnë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në këtë garë. Një prej tyre është edhe keniani Wilson Chebet.

“Shumë kohë më parë, kur isha fëmijë, shkoja me vrap në shkollë: 3.7 kilometra rrugë. Për drekë shkoja në shtëpi, pastaj prapë në shkollë dhe në mbrëmje kthehesha në shtëpi."

Dokumentari tregon se gara është bërë me kalimin e viteve një ngjarje e rëndësishme për grumbullimin e fondeve. Filloi me atletin grek të garave olimpike, Stylianos Kyriakides, i cili ishte fituesi i Maratonës së Bostonit në vitin 1946…

"…dhe e përdori famën e tij si Kampion i Maratonës së Bostonit për të grumbulluar fonde në ndihmë të Greqisë së pas luftës."

Bostoni po bëhet gati për ditën e garës së sivjetme. T.K. Skenderian, Drejtor për Komunikimin në Shoqatën Atletike të Bostonit, është në mesin e përgatitjeve.

"Një vit pas sulmit dhe më pas, vitet e tjera që pasuan, ndjenja e solidaritetit dhe krenaria e komunitetit që është shfaqur jo vetëm nga të plagosurit e sulmit, por nga banorët e zonës dhe nga njerëzit nga e gjithë bota, ka qenë e jashtëzakonshme. Ndjenja e krenarisë qytetare, e krenarisë për Bostonin dhe për sportin e vrapimit, ka qenë e jashtëzakonshme. Vërtet që u goditëm keq, por u ngritëm përsëri, më të fortë se kurrë."

Dy ditë para 121 vjetorit të Maratonës së Bostonit, në qytet po shfaqet premiera e dokumentarit të Jon Dunhamit i titulluar gjithashtu "Boston".

“Në jetë ka shumë gjëra të cilat nuk mund t'i kontrollojmë dot, por dalja jashtë për të vrapuar, caktimi i një objektivi si pjesëmarrja në një maratonë, është diçka e realizueshme, që vërtet ndryshon jetë njerëzish dhe është diçka shumë pozitive," thotë kineasti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG