Lidhje

Dokumentari “Oklahoma City” dhe terrorizmi


Sulmi me bombë në Oklahoma City 22 vjet më parë ishte një akt i brendshëm terrorist nga veterani Luftës së Gjirit Persik, Timothy McVeigh dhe bashkëpunëtori i tij, Terry Nichols. Sulmi i datës 19 prill 1995 shkatërroi një të tretën e ndërtesës federale, Alfred Murrah (Mëri) në qendër të Oklahoma City-t, duke vrarë 168 persona dhe duke plagosur 680. Në dokumentarin e tij, "Oklahoma City", regjisori Barak Goodman i kthehet sërish kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar si sulmin më të madh të brendshëm terrorist në Shtetet e Bashkuara.

"Bombardimi në Oklahoma City ishte një sulm ndaj qytetarëve të pambrojtur".

Dokumentari i regjisorit Barak Goodman, "Oklahoma City", trajton bombardimin e Qendrës Murrah si pikënisje për analizimin e terrorizmit të brendshëm amerikan.

"Gjurmët e tij shkojnë mbrapa deri te koha e themelimit të Republikës. Republika u themelua mbi dyshimin ndaj qeverisë."

Regjisori Goodman thotë se shumë nga këta separatistë janë supremacistë të bardhë, dhe shumica e tyre përkrahin të drejtën e pakufizuar për të mbajtur armë dhe për të mbrojtur veten nga të huajt dhe qeveria. Në dokumentar, Kerry Noble, ish-anëtar i këtyre grupeve është shembull i kësaj ideologjie.

"Qeveria është armike e popullit dhe në këtë luftë ka vetëm fitues dhe humbës. Do të fitojmë si racë e bardhë ose do të humbasim."

Dokumentari i regjisorit Goodman nënvizon dy ngjarje që përforcuan ideologjinë separatiste në fund të shekullit të 20-të: incidentin në Ruby Ridge më 21 gusht 1992 dhe rrethimin dy mujor të kompleksit të sektit Davidian në Waco të Teksasit më 1993.

Incidentet vdekjeprurëse u nxitën nga kërkesat e autoriteteve lokale dhe federale për të kontrolluar pronat për armë të paligjshme zjarri.

Rrethimi në Waco ishte veçanërisht vdekjeprurës. Kompleksi i përkiste sektit Davidian të udhëhequr nga David Koresh.

Kur agjentët federalë u përpoqën t’i jepnin fund ngërçit përmes përdorimit të forcës, shkëmbimet me armë zjarri përfshinë kompleksin. U vranë 82 njerëz, përfshirë vetë David Koreshin. 62 prej tyre ishin gra dhe fëmijë.

Timothy McVeigh, një veteran i Luftës së Gjirit Persik, ishte mes atyre që dëshmuan për rrethimin.

Sipas dokumentarit, McVeigh ishte radikalizuar nga ajo ngjarje dhe nga një libër i titulluar “The Turner Diaries”.

"Është një kredo raciste. Ai përshkruan bombardimin e FBI-së dhe një recetë për prodhimin e një bombe, shumë të ngjashme me atë që u përdor nga McVeigh. Kjo tronditi shumicën e njerëzve në FBI dhe forcat e tjera të rendit. Incidenti do të ishte më pak shokues sot. Por parandalimi i këtyre incidenteve është shumë i vështirë. Ajo që ka habitur audiencën e filmit është se sa i lehtë ishte realizimi i sulmit. Ai kushtoi rreth 6000 mijë dollarë dhe u realizua nga një djalë që u përgatit duke lexuar literaturë."

Regjisori Goodman thotë se në një Amerikë politikisht të polarizuar mundësia për sulme të ardhshme të brendshme terroriste është e lartë.

"Në qoftë se ju flisni me njerëz nga organizata Southern Poverty Law Center, gjurmët e këtyre grupeve janë kudo, dhe se ky është një kërcënim i nivelit të lartë, i vazhdueshëm dhe në rritje."

Ai shpreson se filmi i tij do të rrisë ndërgjegjen për këtë kërcënim në rritje dhe do të kontribuojë në dialogun mbi rreziqet e terrorizmit të brendshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG