Lidhje

Dollari: Monedhë apo kartmonedhë?


Marrë nga Zyra e Prerjes së Parave

Marrë nga Zyra e Prerjes së Parave

Ndërsa borxhi kombëtar në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet, Kongresi amerikan zhvillon vazhdimisht debat lidhur me mënyrat për të kursyer para. Grupi lobist “The Dollar Coin Alliance”, thotë se miliarda dollarë mund të kursehen, nëse do të përdoreshin monedha metalike në vend të atyre prej letre. Paratë prej metali ekzistojnë prej një kohe të gjatë, por shumë njerëz nuk i përdorin. Qeveria amerikane është përpjekur që ato të përdoren përsëri gjatë viteve të fundit, por më pas e pezulloi thuajse fare prodhimin e tyre në vitin 2011. Në vazhdim do t’ju njohim me përpjekjet për rigjallërimin e dollarit prej metali:

Amerikanët pëlqejnë dollarin prej letre. Por Jim Kolbe, bashkëkryetar i Aleancës së Dollarit Metalik, mendon se ia vlen të kalohet tek përdorimi i parave metalike.

“Prodhimi i monedhës metalike kushton më tepër rreth 17 centë, kundrejt 5 dhe 6 centë që kushton prodhimi i dollarit prej letre. Megjithatë, paratë metalike zgjasin 35 vjet dhe ato përbëhen kryesisht prej metali të riciklueshëm, ndërsa monedhat prej letre duhen prodhuar prej materiali të ri dhe ne azgjësojmë 3 miliardë monedha letre në vit, sepse ato prishen.”

Për vite me radhë, ish-kongresmeni është përpjekur të nxisë miratimin e një ligji, i cili do të mbështeste dollarin metalik, duke e nxjerrë jashtë përdorimit atë prej letre, një hap që ka hasur në rezistencën si të politikanëve, edhe të publikut. Por sot, thotë ai, klima ka ndryshuar dhe një anketë e kohëve të fundit tregon se 61 për qind të amerikanëve u pëlqen kjo ide.

“Kur ata të mësojnë për kursimet që mund të bëhen, do ta mbështesin idenë e zëvendësimit të parave metalike me ato prej letre.”

Zoti Kolbe përmend studimin e Zyrës Qeveritare të Përgjegjësisë, GAO, që heton se si i shpenzon qeveria paratë e taksapaguesve. GAO vlerëson se taksapaguesit do të kursesin më tepër se 4 miliardë dollarë brenda 30 vjetëve dhe se kjo shifër mund të jetë shumë e lartë. Kjo gjë duket tërheqëse për taksapaguesen Christy Thompson.

“Do të thoja, po, ndoshta duhet ta bëjmë këtë gjë.”

Por shumë të tjerë nuk janë të bindur për këtë. Kim Doering shpreh dyshim:

"Ato bëjnë zhurmë dhe rëndojnë në xhep.”

Edhe pronarja e një restoranti në Uashington Sue Fouladi, nuk e pëlqen idenë për të patur më tepër para metalike në arkë.

"Nëse nuk kam zgjedhje, do ta pranoj, por kjo nuk do të më pëlqente aspak”, thotë një pronar biznesi.

Problemi ndërlikohet më tej, ngaqë paratë metalike ngjyrë ari dhe argjendi janë thuajse në të njëjtën madhësi, sa edhe monedha 25 centësh. Robert Blecker, profesor i ekonomisë në Universitetin Amerikan në Washington, thotë se dollarët metalikë duhet të jenë të ndryshëm.

“Paratë metalike mund të jenë të ndryshme përsa i përket trashësisë dhe diametrit. Në se mund prodhojmë një dollar metalik që të mos jetë shumë voluminoz, ndoshta amerikanëve kjo do t’u pëlqejë më shumë".

Por kjo nuk e shqetëson studenten Emily Sturgill.

“Mua më duken të lehta për t’u përdorur. Nganjëherë ato zenë vend më mirë në xhep dhe nuk shqetësohesh se mund të bien nga xhepi, nëse nxjerr nga xhepi çelësat apo telefonin".

Si zoti Kolbe edhe zoti Blecker, janë të një mendimi, se përdorimi në masë i parave metalike nuk do të ndodhë me lehtësi.

"Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga monedhat prej letre, deri ato të hihen nga qarkullimi dhe të mos kemi më zgjedhje.”

Zoti Blecker mendon se publiku amerikan do të mësohej me përdorimin e dollarit metalik.

"Nëse do të mund të zgjidhja, mua nuk do të më pëlqente dollari metalik,” thotë Kim Doering.

“Unë them se mund të mësohesh,” thotë Christy Thompson, e cila mbështet idenë e monedhës.

Në debot e qeverisë amerikane ka pirgje të tëra me monedha metalike, në vend që ato të jenë në xhepat e amerikanëve.

XS
SM
MD
LG