Lidhje

Agjencia USAID dhe bujqësia shqiptare


Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim Ndërkombëtar - USAID - publikoi sot rezultatet e projektit të saj Agro-Kapital në bujqësinë shqiptare. Ambasadori i ri amerikan në Tiranë, Donald Lu, tha se Shqipëria ka nevojë të kryejë sa më parë për një reformë ligjore që të lehtësojë kreditimin e bujqësisë dhe të rritë transparencën në këtë sektor.

Projektet fituese pritet të hapin mbi një mijë vende pune, ndërsa fondet po rriten si nga USAID ashtu edhe nga qeveria shqiptare. Përfaqësues të SHBA shprehën sot gadishmërinë për të mbështetur më fort bizneset bujqësore të Shqipërisë. Ambasadori i ri amerikan në Tiranë, Donald Lu, shprehu keqardhjen për bujqit shqiptarë, që humbën fermat dhe bagëtitë e tyre nga përmbytjet e fundit. Ai tha se ndihma amerikane e dhënë përmes USAID do ti mbështesë këto familje dhe do të ndihmojë në përmirësimin e këtyre zonave të rëndësishme bujqësore.

Ambasadori Lu i bëri këto komente në konferecën e projektit të USAID-it, AgroCapital, i cili financoi gjatë një viti me 4.7 milionë dollarë bujqësinë shqiptare. Ai tha se një numër i madh bujqish duan fonde për të zhvilluar fermat e tyre, por Shqipëria ka nevojë për reforma ligjore për të lehtësuar kredidhënien në bujqësi, ndaj ai e nxiti qeverinë dhe organizatat të merren me këtë reformë dhe të rritin transparencën e kredive për fshatin.

Qeveria shqiptare ndihmoi nga buxheti vitin e kaluar përmes skemave kombëtare 8 mijë e 600 bujq e biznese me afërsisht 10 milionë dollarë. Projekti AgroCapital i USAID-it lehtësoi financimin e 20% të aplikantëve të suksesshëm në skemën e qeverisë. Kërkesat e agrobizneseve për mbështetje financiare u shtuan, ndaj projekti futi 5.4 milionë dollarë në ekonominë bujqësore shqiptare.

Programi i USAID parashikon të krijojë një mijë e 150 vende të reja pune, të lehtësojë 14.8 milionë dollarë financime për agrobizneset dhe të nxitë rritjen e xhiros së sipërmarrjeve me 28 milionë dollarë. Përfaqësuesit e qeverisë, të bankave dhe të institucioneve financiare, ekspertë dhe sipërmarrës në bujqësi, donatorë dhe investitorë, diskutuan për mundësi te reja të financimit të agrobizneseve shqiptare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG