Lidhje

Ambasadori Lu komenton për drejtësinë


Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, mori sot sërish pjesë në diskutimet publike mbi reformimin e sistemit të drejtësisë.

Ai tha se Shqipëria ka nevojë për institucione dhe procedura që të ndëshkojnë korrupsionin brenda radhëve të drejtësisë.

Zoti Lu i bëri këto komente, duke iu referuar përvojave amerikane të goditjes së korrupsionit në gjykata gjatë një konsultimi publik në Universitetin e Durrësit, i organizuar nga Komisioni i Posaçëm për Reformën.

“Shqipëria ka historitë e saj shokuese të korrupsionit në drejtësi. Të gjitha vendet tona përballen me problemin e korrupsionit. Gjatë viteve të fundit në shqipëri janë dënuar vetëm 3 gjykatës për korrupsion dhe asnjë prokuror” - tha ambasadori Lu.

Ambasadori Lu tha se një demokraci e mirëfilltë funksionale duhet të ketë institucione për identifikimin e korrupsionit, ndëshkimin e përgjegjësve dhe sigurimin e drejtësisë për popullin e vet.

Shumë gjykatës dhe prokurorë po punojnë ndershmërisht në Shqipëri dhe ata e meritojnë që të veprojnë në një sistem drejtësie të lirë prej korrupsionit, theksoi ai.

“Disa gjykatës dhe prokurorë në Shqipëri meritojnë të pushohen nga puna dhe disa meritojnë të shkojnë në burg. Të gjithë kemi nevojë të luftojmë për prokurorë dhe gjykatës të pastër ashtu si kërkojmë të identifikojmë dhe ndëshkojmë ata që janë të korruptuar” - tha ai.

Në serinë e konsultimeve publike po paraqiten elementët kryesorë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë” dhe po mblidhen mendime rreth Strategjisë për Reformën në Drejtësi.

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë këtij Komisioni, kanë organizuar konsultime me qarqet e drejtësisë si gjyqtarë e prokurorë, avokatë e noterë, përmbarues dhe ndërmjetës, pedagogë dhe studentë të universiteteve në të gjithë vendin.

Në këto takime po diskutohet strategjia e reformës në drejtësi për të rritur profesionalizmin dhe masat anti-korrupsion në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG