Lidhje

Donald Lu: Së shpejti ndalimi i vizave për zyrtarët e korruptuar


Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu, vlerëson procesin e deritanishëm të pastrimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, nga persona me të kaluar kriminale, pavarësisht se në to kanë mbetur ende të tillë. Në një intervistë eskluzive për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan, jep konsideratat e tij për fushatën zgjedhore. Ai flet dhe për korrupsionin dhe nismën e administratës amerikane që zyrtarëve të korruptuar shqiptarë t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ambasadori Lu komenton dhe procesin e reformës në Drejtësi, rëndësinë e saj dhe mungesën e përfshirjes së opozitës.

Intervistë me ambasadorin Donald Lu
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:58 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, së pari ju falenderoj për mundësinë e kësaj interviste. Do të doja ta nisja me një pyetje rreth situatës zgjedhore. SHBA-të janë angazhuar në këto zgjedhje edhe me vëzhgues, por edhe përmes financimeve. Po mbërrijmë në pjesën e fundit, në numërimin mbrapsht drejt ditës së votimit. Ju si do ta vlerësonit ecurinë deri tani të fushatës zgjedhore?

Amb. Donald Lu: Momentet e mia të preferuara në këtë fushatë zgjedhore kanë qenë kur kam parë kandidatët të diskutojnë dhe debatojnë për çështje me të vërtetë të rëndësishme për votuesit. Kohët e fundit në Fier, Berat dhe sot në Shkodër, kemi parë forume të shkëlqyera kandidatësh për çështje të politikave vendore, përfshirë çështjet e grave dhe të fëmijëve. E ardhmja e demokracisë në Shqipëri nuk janë as politikanët kriminelë dhe as blerja e votimeve. Janë OJQ-të dhe gazetarët ata që i ndihmojnë votuesit të marrin vendime më të mira e më të informuara mbi kandidatët.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, ju sapo përmendët politikanë kriminelë. Në të vërtetë kjo është një cështje debati mjaft të zjarrtë. Ju në fund të muajit prill, thatë se keni identifikuar kandidatë me një të kaluar të dyshimtë. Javën e shkuar përshëndetët një veprim të Partisë demokratike, për tërheqjen e një kandidati. A jeni të kënaqur me masat që kanë marrë partitë politike, për të përjashtuar kandidatët me një të kaluar kriminale në këto zgjedhje?

Amb. Donald Lu: Një person i mençur më tha kohët e fundit se përparimi i bërë për largimin e kriminelëve nga politika është mbresëlënës. A mund ta kishim imagjinuar dy vite më parë që do të diskutonim sinqerisht mbi rolin e kriminelëve në politikë? Udhëheqësit politikë nga e djathta dhe e majta kanë hequr kriminelë prej listave të kandidatëve. Për ata kriminelë që ende janë në lista, ka një diskutim publik në rritje për aktivitetin e tyre kriminal. Votuesit shqiptarë janë të zgjuar. Jam besimplotë se ata do të marrin vendime të mira.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, disa ditë më parë ju ishit dhe në KQZ. A u diskutua me drejtuesen e këtij komisioni rreth kandidatëve me një të kaluar të dyshimtë?

Amb. Donald Lu: Nuk kemi diskutuar çështje të veçanta që janë duke u shqyrtuar prej KQZ-së. E kam përgëzuar KQZ-në për punën e saj në respektimin e Kodit Zgjedhor dhe u thashë atyre se KQZ-ja luan një rol jetik në mbrojtjen e demokracisë shqiptare. I kemi informuar ata, gjithashtu, për planet e SHBA për vëzhgimin e zgjedhjeve, asistencën e SHBA-së në mbështetje të KQZ-së dhe për përpjekjet tona për nxitjen e partive politike për të kandiduar persona me rekorde të pastra.

Zëri i Amerikës: Përveç këtyre personave në politikë, me rekorde kriminale, një tjetër çështje shqetësuese për Shqipërinë, është korrupsioni. Pak kohë më parë në një intervistë ju deklaruat se SHBA-të po shohin mundësinë që t’i ndalojnë hyrjen në territorin e tyre, zyrtarëve të korruptuar. Kur pritet një vendim i tillë?

Amb. Donald Lu: Shpallja Presidenciale Nr. 7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti ambassador, dhe një pyetje të fundit. Korrupsioni është I lidhur shumë dhe me sisitemin gjyqësor. Aktualisht kemi një nismë për një reformë në Drejtësi. Por sa e plotë do të ishte një reformë e tillë, ndërkohë që opozita nuk është bërë pjesë e këtij procesi?

Amb. Donald Lu: Procesi aktual i reformës në drejtësi ka mundësinë të krijojë një sistem për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Për ta bërë këtë, Shqipërisë i duhet pjesëmarrja e ekspertëve më të mirë të saj ligjorë, përfshirë ata nga opozita. Një reformë në gjyqësor që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, është e mundur. Megjithatë, ne e dimë se me pjesëmarrjen e opozitës kjo do të ishte një reformë më e mirë dhe më e qëndrueshme për Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG