Lidhje

Ambasador Lu: SHBA ka nevojë për aleatë si Shqipëria


Donald Lu, i emëruari i Presidentit Barak Obama në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri tha të enjten gjatë seancës së dëshmive në Nënkomisionin e Senatit për Çështjet Evropiane se Shqipëria është jë aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara.

“Në një botë me rreziqe të vazhdueshme dhe pasiguri, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë nevojë për aleatë të shkëlqyer si Shqipëria”.

Zoti Lu tha se përparësitë e tij do të jenë ndihma për forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, mbështetja e forcave të armatosura shqiptare që të ngrihen në nivelin e aleatëve të NATOs dhe nxitja e investimeve amerikane. Zoti Lu vlerësoi edhe zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri.

“Zgjedhjet ishin më të mirat që ka zhvilluar Shqipëria ndonjëherë, pati një kalim paqësor pushteti, por demokracia nuk është vetëm zgjedhje. Ne do të nxisim udhëheqësit e të dyja palëve të luftojnë krimin e organizuar, trafiqet dhe korrupsionin. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin zërin në rritje të shoqërisë civile, mbrojten e të drejtave të pakicave, pavarësinë e gjyqësorit dhe përgjegjshmërinë e politikanëve”.

Shtetet e Bashkuara tha diplomati amerikan i mbështesin plotësisht synimet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Ekonomia e Shqipërisë ka patur rritje të madhe gjatë viteve, por ashtu si edhe ekonomitë e shumë vendeve të tjera aleate, ajo ka mbetur në vend gjatë dy viteve të fundit. Dy janë mundësitë më të mëdha për rimëkëmbjen e saj: së pari, aftësia e Shqipërisë për të ndërmarrë reforma të rëndësishme ekonomike, për të krijuar një atmosferë më të shëndetshme për bizneset, dhe së dyti, forcimi i partneriteteve ekonomike të Shqipërisë me Europën dhe Shtetet e Bashkuara”.

Për një vend të vogël prej vetëm 3 milionësh, tha ai, Shqipëria pa dyshim jep një kontribut të madh për madhësinë e saj dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta mbështesin atë të modernizojnë forcat e saj të armatosura që të plotësosjnë standardet e një vendi aleat të NATOs.

“Në të njejtën kohë ne duhet të ndihmojmë Shqipërinë të luftojë korrupsionin dhe përgjegjshmërinë brenda ushtrisë që ajo të plotësojë standardet më të larta të një aleati të NATOs”.

Donald Lu është diplomat karriere dhe për më shumë se dy dekada ai ka shërbyer në Departamentin e Shtetit, duke punuar në demokracitë e reja të dala nga ish vendet e Bashkimit Sovjetik dhe të Evropës Lindore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG