Lidhje

Pres. Trump kërkon rritje me 10 për qind të buxhetit për mbrojtjen


Presidenti Donald Trump kërkoi të hënën një rritje vjetore prej 54 miliardë dollarësh për shpenzimet e mbrojtjes, duke e përshkruar rritjen prej 10 për qind nga buxheti i mëparshëm i mbrojtjes, si një ngjarje historike. Ky është një mesazh që synon ta sigurojë botën për “fuqinë, sigurinë dhe vendosmërinë e Amerikës”, - tha ai.

Duke folur në një takim që pati në Shtëpinë e Bardhë me guvernatorët e shteteve amerikane, presidenti Trump tha se “Ne duhet të sigurohemi që burrat dhe gratë, pjesëtarë të forcave tona të armatosura t’i kenë mjetet e nevojshme që kur të thirren për të luftuar në emrin tonë, të shënojnë vetëm fitore”.

Presidenti i ri amerikan tha se Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë përsëri t’i fitojnë luftrat, duke kujtuar që në vitet e rinisë të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, amerikanët mburreshin se vendi “nuk kishte humbur kurrë në luftë”.

"…Dhe tani ne nuk e fitojmë asnjëherë luftën”, tha zoti Trump. Vitet e fundit ne nuk kemi luftuar për të fituar, prandaj këtej e tutje ne do të luftojmë vetëm për të fituar”, - tha ai.

Zoti Trump tha se ai do t’i saktësojë më mirë përparësitë e buxhetit, gjatë fjalimit që do të mbajë të martën në mbrëmje para Kongresit. Ai shtoi se “rritja e buxhetit të Pentagonit do të shërbejë për fuqizimin e ushtrisë amerikane të lënë pa mjetet e nevojshme, në një kohë kur vendi ka shumë nevojë.”

Zyrtarë të buxhetit i thanë gazetarëve se me rritjen e madhe të shpenzimeve për mbrojtjes, do të ketë shkurtime të disa programeve të ndihmave brenda dhe jashtë vendit. Administrata Trump ka në plan t’i bëjë të njohura nivelet e shpenzimeve për disa agjenci qeveritare në një dokument që do t’ja paraqesë Kongresit muajin e ardhshëm dhe më vonë do të paraqesë propozime për shkurtimin e taksave.

Trump tha se shifrat e buxhetit janë të komplikuara, pasi Kongresi fillimisht do të duhet të merret me zhbërjen dhe zëvendësimin e reformës së shërbimit shëndetësor të Presidentit Obama, të njohur si Obamacare, për të përcaktuar shpenzimet e qeverisë për shërbimin shëndetësor në vitin fiskal që fillon më 1 tetor.

Zoti Trump tha se “Obamacare është një plan i dështuar.”

Por zhbërja dhe zëvendësimi i ligjit është i komplikuar dhe fati i tij në Kongres është i paqartë. Zoti Trump nuk është shprehur për detajet, sipas të cilave ai do ta ndryshojë ligjin.

Gjatë fushatës, zoti Trump premtoi në mënyrë të përsëritur mbështetjen për ushtrinë dhe të premten ai u zotua të zbatonte “një ndër fuqizimet më të mëdha ushtarake në historinë e Amerikës”.

Presidenti tha se nuk do të ketë shkurtime të programeve në mbështetje të të moshuarve me pensione dhe kujdes shëndetësor.

Propozimet që dolën sot mund të ndryshojnë gjatë procesit të gjatë të hartimit të projekt-buxhetit për vitin fiskal 2018 që fillon në tetor të këtij viti.

Agjencitë amerikane paraqesin propozimet e tyre mbi nevojat e tyre dhe buxhetin që u nevojitet për të përmbushir misionet e tyre; fjala e fundit i takon Kongresit për të miratuar shpenzimet federale.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG