Lidhje

Donald Trump pranon se po humb mbështetjen e grave


Donald Trump
Donald Trump

Kandidati republikan për president, Donald Trump, pranoi sot se po humb mbështetjen në radhët e votueseve, por fajësoi për këtë gjë raportimin nga mediat të rasteve të grave që e kanë akuzuar pa të drejtë për veprime të pahijshme ndaj tyre.

Ai tha në Twitter se anketimet tregojnë që fushata e tij përballë demokrates Hillary Clinton vazhdon të jetë me rezultat të afërt, “por, a mundeni ta besoni se unë kam humbur votuese të shumta për shkak të ngjarjeve që nuk ndodhën kurrë. Media po manipulon zgjedhjet!”.

Në një tjetër mesazh, zoti Trump sërish pretendon se mediat amerikane janë të pozicionuara kundër tij, “në një përpjekje të koordinuar me fushatën Clinton, duke bërë lajm me histori që nuk kanë ndodhur kurrë!”.

Kandidati demokrat për nënpresident, Senatori i Virxhinias Tim Kaine, përqeshi gjatë një interviste akuzat e zotit Trump, duke thënë se “ai po fajëson mediat. Ai fajëson republikanët. Ai thotë se Amerika nuk është në gjendje të mbajë zgjedhje të ndershme. Ai po godet çdo fantazmë të imagjinatës së tij pasi ai e di që po humbet.”

Një përmbledhje e mesatareve të sondazheve, e përpiluar nga “Real Clear Politics”, tregon se zonja Clinton, ka një avantazh prej 5.5%. Dy sondazhe kryesore që u botuan sot, nga “Washington Post – ABC News”, e tregon zonjën Clinton në nivelin 47%, përballë 43% për zotin Trump, në radhët e amerikanëve që synojnë të votojnë më 8 nëntor. Ndërsa, sondazhet e “NBC News” dhe “The Wall Street Journal” e tregojnë zonjën Clinton në avantazh shumë më të madh, me 48% përballë 37% për zotin Trump.

XS
SM
MD
LG