Lidhje

Shtohen pikëpyetjet e republikanëve për Donald Trump


Miliarderi i pasurive të patundshme, Donald Trump, ka tërhequr sërish vëmendje me pikëpamjet e tij për çështjen e abortit, NATO-n, armët bërthamore, si dhe trajtimin e grave. Ndërkohë, sfidantët e tij politikë po përpiqen të zvogëlojnë avantazhin e tij si kandidat kryesues i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale.

Analistët po sugjerojnë se po ngadalësohet avantazhi i tij, ndërkohë që republikanët kanë filluar të ngrenë pikëpyetje rreth pikëpamjeve të tij dhe të mendojnë se shanset e tij nuk do të jenë të mira për të fituar përballë kandidates kryesuese demokrate, Hillary Clinton.

Gjatë ditëve të fundit, kanalet kryesore mediatike kanë njoftuar se nëse ai do të nominohej si kandidati republikan, do të ishte historikisht kandidati me nivelin më ulët të aprovimit në rang kombëtar gjatë tre dekadave të fundit. Sipas sondazheve, zoti Trump do të humbiste me rezultat të thellë nëse do të garonte si kandidat kombëtar për zgjedhjen e pasardhësit të Presidentit Barack Obama, mandati i të cilit mbaron në janarin e ardhshëm.

Zoti Trump, i cili nuk ka patur më parë funksione zyrtare, ka siguruar një avantazh të qartë në numrin e delegatëve për Konventën e Partisë Republikane që do të mbahet në muajin korrik për përzgjedhjen e kandidatit zyrtar për president. Por, ai mund të mos arrijë të sigurojë maxhorancën e duhur të delegatëve gjatë takimit të parë, dhe kështu të krijohet nevoja e një votimi të dytë më të kontestuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG