Lidhje

Separatistët: 89% e pjesëmarrësve në referendum, pro shkëputjes


Në një njoftim të papritur të parakohshëm vetëm tre orë pas mbylljes së qendrave të votimit, udhëheqësit e separatistëve në Donetsk deklaruan se një shumicë e konsiderueshme votoi pro shkëputjes. Por referendumi u shoqërua me akuza për manipulime në vota.

Trembëdhjetë orë pasi u hapën qendrat e votimit, udhëheqësit e separatistëve në Donetsk njoftuan para medias rezultatet e parakohshme për referendumin për të vendosur nëse rajoni do të ndiqte shembullin e Krimesë dhe të shkëputej nga Ukraina.

Duke mos përfillur paralajmërimet nga qeveria e Kievit dhe kërcënimet për “pasoja të rënda”, udhëheqësit separatistë thanë mbrëmë në një konferencë për shtyp në orët e vona se 89% e votuesve në Donetsk kishin votuar për t’u shkëputur dhe vetëm 10% kishin hedhur poshtë idenë e vetëvendosjes. Ata thanë se pjesëmarrja ishte në 74.7 për qind.

Votimet filluan me ngut në rajonet Donetsk dhe Luhansk në kufi me Rusinë. Por shumë shpejt filluan të përhapen akuza për manipulim në vota dhe aktivistë pro-unitetit treguan video ku thonin se duket qartë që disa njerëz votuan më shumë se një herë.

Kreu i komisionit zgjedhor të separatistëve, Roman Lyagin tha për Zërin e Amerikës se pjesëmarrja më shumë se një herë në votime ishte e pamundur, pasi njerëzit u detyruan të presin mbi një orë e gjysmë për të hedhur votën, prandaj nuk kishte nevojë për garanci të tjera.

Qeveria e përkohshme e Kievit e hodhi poshtë referendumin si të paligjshëm dhe të sajuar. Në fletëvotim ishte një pyetje e vetme: “A duhet të formojnë rajonet republika të pavarura?” Pjesa më e madhe e banorëve kundër shkëputjes thanë se do ta bojkotonin referendumin. Luhansku ende nuk ka deklaruar rezultatin.

Votuesit që pritën në radhë të gjata thanë se dhuna e ditëve të fundit në pjesën lindore ishte arsye e mjaftueshme për shkëputje. Në popullatë ka zemërim të thellë për fushatën ushtarake të organizuar për të larguar separatistë të armatosur nga ndërtesat qeveritare që kanë zaptuar në rajon.

Vdekja e të paktën 42 personave në Odesa nga zjarri që shpërtheu gjatë protestave para një jave si dhe luftimet e së premtes që lanë të paktën 20 të vdekur në Mariupol, janë ngulitur fort në mendjet e votuesve.

Aleku 23-vjeçar shprehet:

“Votova sot sepse besoj se pas ngjarjeve në Odesë dhe Mariupol, uniteti në Ukrainë është i pamundur dhe është më mirë të shkëputemi”.

Qeveria e Kievit është në dilemë prej disa javësh. Fillimisht nuk reagoi ndaj separatistëve të armatosur, duke i lejuar ata të zgjerojnë kontrollin e tyre. Më pas, kur reagoi, zgjoi revoltim të fortë në popullatën lokale.

Një pjesë e mirë e panikut dhe revoltimit të popullatës lokale lidhet me transmetimet e grupeve mediatike të kontrolluara nga Kremlini, që bënë bujë të madhe për operacionet e ndërmarra nga Kievi. Kjo strategji në disa raste ka ushqyer paralelizmat mes përpjekjeve të qeverisë ukrainase për të rimarrë ndërtesat qeveritare me raprezaljet naziste gjatë Luftës II Botërore.

Analistët kishin paralajmëruar se referendumi nuk do të përmbushte standardet ndërkombëtare dhe do të shoqërohej me manipulime. Vende të tjera nuk dërguan asnjë vëzhgues. Analistët shqetësohen për integritetin e votës në një atmosferë frikësimesh dhe rrëmbimesh në rajon.

Pjesa më e madhe e votuesve që morën pjesë në referendum thanë se shpresojnë që nëse referendumi miraton statusin e pavarur, Rusia do të binte menjëherë dakord t’i aneksonte.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG