Lidhje

Aktivistët anti-rusë mobilizohen në Donetsk


Në trazirat që po shpalosen në Ukrainën lindore ka një numër të madh aktivistësh që luftojnë për integritetin territorial të Ukrainës dhe kundër ndurhyrjes ruse. Aktiviteti i tyre zhvillohet kryesisht në fshehtësi, por ata po përgatiten të ballafaqohen me elementët pro-Moskës.

Në mes të një turme pro-ruse të mbledhur në Donetsk, Kolia, një i ri në të 20-tat, përpiqet të mos bjerë në sy.

Ai mban në dorë një kamera dixhitale, që transmeton drejtpërdrejt në një faqe pro-Ukrainës, që ndiqet nga aktivistë anti-rusë. Kolia arrin të futet pas barrikadave. Megjithëse është një veprim i rrezikshëm, ai arrin të lëvizë pa u cënuar.

Më pas Kolia demonstron teknologjinë që i jep mundësi të komunikojë me aktivistë të tjerë.

"Në këtë mënyrë gjejmë ata individë që duan të jenë pjesë e Ukrainës, që duan të mbrojnë Donetskun nga pushtimi rus”.

Në Donetsk, priftërinjtë ortodoksë kanë dalë në ballë të përpjekjeve për unitet.

Në një udhëkryq kryesor, pranë monumenteve me emblemat e trashëguara nga periudha sovjetike, priftërinjtë mblidhen me flamujt blu e verdhë të Ukrainës dhe luten për unitet kombëtar. Në një qytet ku janë shpalosur ngado flamujt rusë, një akt i tillë nga priftërinjtë është një sfidë e guximshme. Pietro Matyshenko, një prift nga Kisha Ortodokse Ukrainase thotë se është një situatë shumë e rrezikshme:

"Filluam të luteshim në Sheshin Lenin në Donetsk, por na sulmuan me shkopinj e na qëlluan me gurë. Njerëzit sillen me me agresivitet, vijnë dhe përpiqen të shkatërrojnë tendën tonë”.

Në një kafene pranë udhëkryqit, aktivistë për unitetin e Ukrainës mblidhen për të mbrojtur tendën e priftërinjve. Me zë të ulët ata diskutojnë si t’i përgjigjen kryengritjes pro-ruse. Sergiy Yeryiomin është kreu i këshillit të Forcës Vetëmbrojtëse të Donetskut:

"Cfarë do të ndodhë në një luftë të plotë civile? Njerëzit nuk do të rrinë të heshtur përballë ndërhyrjes ruse. Nuk do ta kenë të lehtë këtu, nuk do të jetë si Krimea”.

Demonstruesit pro-unitetit po përpiqen të përgatiten për ballafaqim me kundërshtarët pro-rusë. Qindra vetë dolën në tubim në Donetsk të shtunën në një nga rrugët kryesore, në një shenjë uniteti që u shfaq në shumë qytete ukrainase.
XS
SM
MD
LG