Lidhje

Donetsku i përçarë përballë ofertës së kryeministrit ukrainas

  • Henry Ridgewell

Kryeministri i Ukrainës i ka ofruar autonomi më të gjerë Ukrainës lindore me kushtin që protestuesit pro-rusë të dorëzojnë armët dhe të largohen nga selia e qeverisë lokale, ku ata u futën me forcë të dielën. Protestuesit kërkojnë zhvillimin e një referendumi mbi të ardhmen e rajonit. Vendet perëndimore e akuzojnë Rusinë se po nxit demonstratat. Protestat duket se e kanë përçarë qytetin.

Protestuesit pro-rusë në selinë e qeverisë lokale shpallën “Republikën Popullore të Donetskut”. Ata e kosiderojnë qeverinë e Kievit si të paligjshme dhe nuk e njohin autoritetin e saj. Një ndër ta është Nikolai Mozhayev.

Mozhayev thotë se njerëzit janë mbledhur pasi duan të shkëputen nga grushti i shtetit. Ai thotë se gangsterët në Kiev kanë marrë kontrollin e vendit në dorë dhe Donetsku si dhe Ukraina juglindore duan të shkëputen nga kjo rrëmujë.

Autoritetet në Kiev u dhanë protestuesve në Donetsk dhe qytete të tjera lindore 48 orë afat për të dorëzuar armët dhe për t’u larguar nga ndërtesat qeveritare. Ky afat skadoi dje pa u përfillur.

Kryeministri Arseniy Yatsenyuk mbërriti dje në Donetsk për bisedime me zyrtarët lokalë. Ai ofroi një autonomi më të gjerë nëse protestuesit largohen:

"Unë mendoj se duhet ta zgjidhim problemin në mënyrë paqësore. Ne kemi bërë një ofertë. Ata duhet të largohen nga ndërtesat qeveritare që kanë uzurpuar, të dorëzojnë armët dhe ne, autoritetet ukrainase, u garantojmë se nuk do të ndalohen apo arrestohen. E kanë vetë në dorë të vendosin”.

Deri tani oferta nuk i ka bindur protestuesit. Ata i shohin zhvillimet në Kiev si një grusht shteti që rrëzoi qeverinë. Një nga protestuesit shpreh revoltimin e tij:

"Populli i rajonit të Donetskut, populli i Ukrainës është i velur nga autoriteti që ushtron mbi ta pjesa perëndimore e Ukrainës”, thotë ai.

Megjithëse dhjetëra flamuj rusë janë ngritur mbi ndërtesat qeveritare, asnjë nga protestuesit nuk shprehet hapur se duan të ndjekin shembullin e Krimesë. Muajin e kaluar, Krimea votoi për t’u bashkuar me Rusinë, pasi grupe paraushtarake pro-ruse morën nën kontroll qeverinë rajonale. Trupat ruse kanë marrë nën kontroll bazat ushtarake ukrainase në këtë gadishull.

Biznesmeni Eugene thotë se është kundër protestave:

“U bë një revolucion në Kiev, mjafton me kaq. Tani ka filluar ky mikro-revolucion tjetër që po shkatërron ekonominë”.

Protestat në Donetsk dhe qytete të tjera lindore e kanë përçarë popullatën. Kryeministri Yatsenyuk nuk ka thënë se çfarë do të ndodhë nëse protestuesit hedhin poshtë ofertën e qeverisë. Deri tani nuk ka shenja shpresë-dhënëse se protestuesit janë gati të largohen.

E gjithë kjo ndodh, ndërkohë që njerëz nga të dyja anët e debatit shprehen se më pak se 100 km larg tyre, 40 mijë trupa ruse janë dislokuar pranë kufirit.
XS
SM
MD
LG