Lidhje

Shuhen yjet e muzikës Donna Summer dhe Chuck Brown


Këtë javë, bota e muzikës humbi dy artistë të mëdhenj. Donna Summer, e njohur edhe si Mbretëresha e muzikës Disco, dhe kantautori legjendar i muzikës Go-Go Chuck Brown u ndanë nga jeta përkatësisht në moshën 63 dhe 75 vjeçare.

Chuck Brown, interpretues, këngëtar, kitarist dhe kompozitor, zhvilloi në mesin e viteve 1970 versionin e tij të muzikës funk, për t'iu kundërvënë stilit muzikor dominues të asaj kohe, muzikës disko.

Ai përdori perkusione pa ndalesë për të lidhur këngë me njëra tjetrën dhe për të mbajtur publikun duke kërcyer gjatë koncerteve maratonë.

Ai thoshte se muzika e tij u quajt Go-Go, sepse siç shprehej ai, ajo "vazhdon e vazhdon". Kënga e tij më e famshme ishte "Bustin Loose", e cila kryesoi renditjet R & B, në vitin 1978.

Chuck Brown cilësohej si krijuesi kryesor i zhanrit muzikor më të afërt me kryeqytetin e SHBA-së dhe ai njihej gjerësisht si një nga interpretuesit më karizmatikë të Uashingtonit, duke mbetur i suksesshëm me koncertet e tij deri kohët e fundit, kur ai ndaloi interpretimet e tij për shkak të problemeve me shëndetin.

Legjenda e muzikës Donna Summer, ishte fituese e 5 Çmimeve Grammy. Personat pranë saj thanë se ajo kishte kohë që luftonte me kancerin, por ishte përpjekur të mos e bënte publike shkallën e sëmundjes së saj.

Donna u kthye në një yll të muzikës në vitet 1970, me këngë shumë të suksesshme që ndihmuan në përcaktimmin e epokës së muzikës disko si "Last Dance", "Bad Girls", dhe "Hot Stuff".

Emri i vërtetë i këngëtares Donna Summer ishte Donna Gaines dhe ajo lindi më 31 dhjetor 1948 në Boston, të shtetit Massachusetts, në një familje fetare. Kështu, një pjesë e madhe e trajnimit të saj të fillimit erdhi duke kënduar në korin e kishës.

Ajo shkoi në Evropë në fund të viteve 1960, ku mori pjesë në filmin muzikor gjerman "Hair", ku edhe mësoi mjaft mirë gjuhën gjermane.

Donna Summer u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe gëzoi shumë sukses, duke arritur kulmin e karrierës së saj në vitin 1979, me albumin e saj "Bad Girls", i cili përmbante tre këngë që arritën vendin e parë në klasifikime.

XS
SM
MD
LG