Lidhje

Tiranë: Prokurori Shkëlqim Hajdari dha dorëheqjen


Prokurori i Prokurorisë së Shkodrës, Shkëlqim Hajdari, njëkohësisht Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, i ka paraqitur dorëheqjen presidentit të Republikës Bujar Nishani, pesë ditë më parë për shkak të pengesave në ushtrimin e detyrës, siç shprehet ai.

Zoti Hajdari pohoi se pas një pune profesionale për afro dy dekada, prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla e transferoi dhjetorin e kaluar nga drejtues i prokurorisë së apelit në prokuror të thjeshtë në Shkodër.

Ai thotë se kjo dorëheqje erdhi sepse situata në organin e akuzës është bërë alarmante për një shtet demokratik, ku emërimet dhe shkarkimet bëhen në shkelje të ligjit dhe në favor të personave të paaftë.

Sipas tij, disa elementë në institucionin e prokurorisë po kontrollohen nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni dhe përdoren nga politika.

“Dorëheqja ime nuk është një akt dorëzimi, përkundrazi, është një akt i përgjegjshëm sensibilizimi dhe motivimi të prokurorëve të ndershëm, të cilët në sistemin e prokurisë janë në maxhorancë. Për fat të keq, prokurorët nuk munden dot të artikulohen dhe të gjejnë forca për të ndaluar këta individë, të cilët nëpërmjet shkeljes së hapur të ligjit, përdorimit politik dhe kriminal të tyre e kanë katandisur organin e akuzës në një organ, i cili vetëm zbatimin e ligjit nuk bën më” - tha kryetari i shoqatës së prokurorëve.

Zoti Hajdari thotë se në vitet e fundit një numër jo i vogël prokurorësh profesionistë nga krimet e rënda dhe sektorë të tjerë janë transferuar në mënyrë të paligjshme nëpër periferi dhe pikërisht në zonat ku janë përballur me bandat e armatosura.

Këtë situatë të jashtëzakonshme mund ta rregullojë, sipas tij, vetëm reforma në drejtësi, e cila do të nxjerrë pasuritë e mëdha të disa prokurorëve, lidhjet me krimin të disave madje edhe lidhjet me Sigurimin e Shtetit të disa të tjerëve.

“Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me shumë kolegë prokurorë të ndershëm. Ne dimë gjithçka për çdo koleg prokuror. Ne dimë se kush janë përgjegjës, individë konkretë, të cilët me aktet e tyre të paligjshme e kanë shkatërruar organin e prokurorisë. Këshilli aktual i prokurorisë, një organ i cili duhej të mbronte trupën e prokurorëve nga paligjshmëritë që i vijnë nga prokurori i përgjithshëm e më gjerë, është kthyer në një vegël qorre, që shkel ligjin në mënyrë të vazhdueshme dhe është bërë një mashë, që ka shkatërruar kolegë të ndershëm, të cilët kanë punuar me ndershmëri, përkushtim, nuk kanë pranuar kurrë të përdoren politikisht gjatë karrierës së tyre” - tha zoti Hajdari.

Në dhjetorin e kaluar presidenti Nishani dekretoi transferimin e drejtuesit të prokurorisë së apelit si prokuror i thjeshtë në Shkodër.

Ai e ankimoi transferimin si të paligjshëm dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, por ajo e rrëzoi ankesën e tij.

Prokuroria e përgjithshme ka deklaruar se transferimet e prokurorëve janë bërë në kuadër të ristrukturimit të institucionit dhe sektorëve të ndryshëm të tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG