Lidhje

Dorëzimi i armëve në Izrael


Izraeli është në proces të mbledhjes së armëve nga ish-ushtarët dhe familjet e tyre që janë mbajtur në mënyrë të paligjshme pas përfundimit të shërbimit ushtarak. Zyrtarët thonë se fushata ka për qëllim sigurinë e civilëve dhe inkurajimin e atyre që kanë shkelur ligjin për të korrigjuar gabimin.

Ushtria izraelite ka hapur rreth 100 pika grumbullimi në baza dhe stacione policore ku ish ushtarë apo familjet e tyre mund të dorëzojnë armët. Disa prej tyre kanë vlerë për në muzeume.

"Kjo armë e vitit 1952 është e një ushtari që luftoi në operacionin Sinai. Ushtari vdiq dhe djali i tij e ktheu armën nën presion nga e ëma. Ai na tha se kjo armë kishte vlera sentimentale të mëdha. I ati e kishte mbajtur si kujtim nga lufta", thotë majori Sahar Ben-Yosef.

Shumë ushtarë izraelitë kanë përfunduar shërbimin e tyre duke marrë relike nga ushtria.

Ushtria po u kërkon tani t’i kthejnë armët, granatat dhe municionet si dhe çizmet, çantat e fjetjes dhe rrobat. Një reklamë në television promovon një fushatë një-mujore me moton për kthimin e pajisjeve ushtarake duke theksuar se nuk do të ketë ndjekje penale.

"Në këtë fushatë ne promtojmë të mos bëjmë asnjë pyetje dhe të mos ndjekim asnjë penalisht. Qëllimi është të sigurojmë që nuk ka pajisje që mund të dëmtojnë civilët në një mënyrë apo një tjetër dhe t’u japim mundësinë atyre që kanë bërë gabim dhe i kanë marrë ato t’i kthejnë përsëri."

Ekspertë çminimi janë vendosur në pikat e grumbullimit për të ndërhyrë në rast se ndonjë pajisje që kthehet përbën ende rrezik.

Zyrtarët e ushtrisë thanë se synimi kryesor i fushatës është siguria e publikut.

"Kur një civil mban pajisje luftarake në mënyrë të papërshtatshme mund të shkaktojë një shpërthim që mund të vrasë fëmijë dhe civilë të pafajshëm. Nuk do të donim të shihnim një gjë të tillë në një shoqëri të civilizuar", thotë gjenerali Yoram Azulay".

Mijëra izraelitë janë përgjigjur. Ushtria tha se gjatë tre javëve të fundit qytetarët kanë dorëzuar 700 mijë pjesë municionesh, 1,000 eksplozivë, 450 granada, më shumë se 200 armë zjarri dhe gati 20,000 pjesë uniformash. Fushata përfundon të premten.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG