Lidhje

“Rasti Doshi”, ambasadori Lu: Jo hetim nga SHBA


Ambasadori amerikan takoi mbrëmë ish kryeministrin Sali Berisha, sipas të cilit “hetimi me ekspertë ndërkombëtarë është jetik”. Zoti Lu: Cështjen ta zgjidhin shqiptarët. Të ketë një hetim tërësor dhe të pavarur të pretendimeve nga Prokurori i Përgjithshëm

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu theksoi mbrëmë se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin asnjë hetim për rastin e deputetit Tom Doshi, dhe se kjo duhet bërë nga Prokuroria shqiptare. Këto komente janë pjesë e një deklarate që ambasada shpërndau rreth takimit që ambasadori Lu pati me ish kryeministrin Sali Berisha.

Deputeti Doshi akuzoi pak javë më parë kryetarin e parlamentit Ilir Meta se qëndronte pas një plani, që sipas tij, kishte patur për objektiv vrasjen e atij vetë dhe deputetit tjetër të opozitës Mhill Fufi. Zoti Doshi i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorit të Përgjithshëm angazhim të hetuesve ndërkombëtarë lidhur me pretendimet e tij. Një kërkesë e tillë u bë pak ditë më parë edhe nga opozita e cila këmbëngul se nuk mund të ketë një hetim të pavarur përsa kohë zoti Meta vazhdon të mbajë postin e tij të lartë, ndërsa ka akuzuar shumicën se po ushtron trysni ndaj prokurorisë.

Edhe ish kryeministri Sali Berisha, sipas asaj që ai ka shkruar në një postim në Facebook, lidhur me takimin me ambasadorin amerikan, i ka mëshuar idesë se “hetimi i plotë, i pavarur e me ekspertë ndërkombëtarë është jetik për paqen dhe stabilitetin e vendit. Ky hetim nuk mund të bëhet me të akuzuarin kryesor në postin e dytë të shtetit”, shkruan zoti Berisha, duke shtuar se “Dosja Frroku" është dëshmi tjetër e lidhjeve të qeveritarëve më të lartë me krimin dhe mbajtjen e Frrokut gjashtë muaj peng nëpërmjet saj”.

Nga ana e tij, ambasadori amerikan, ka theksuar se “në lidhje me pretendimet e ngritura nga Z. Doshi kundër Z. Meta, kjo është një çështje që duhet ta zgjidhin shqiptarët. Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin ndonjë hetim të këtyre pretendimeve por në vend të kësaj, të ketë një hetim tërësor dhe të pavarur të pretendimeve nga Prokurori i Përgjithshëm”, citohet të ketë thënë zoti Lu, sipas deklaratës së shpërndarë nga ambasada amerikane.

Takimi mes ambasadorit të Shteteve të Bashkuara dhe ish kryeministrit Sali Berisha u zhvillua në prag të protestës së paralajmëruar nga opozita për ditën e sotme përpara parlamentit, për të kërkuar dorëheqjen e zotit Meta.

Në takim, është diskutuar edhe për çështjen e dekriminalizimit. “Ambasadori Lu ritheksoi mbështetjen e SHBA për dekriminalizimin nga të gjitha partitë dhe rëndësinë që ka pjesëmarrja konstruktive e opozitës në këtë process për forcimin e institucioneve demokratike”, nënvizon deklarata e ambasadës amerikane. Ndërkohë që ish kryeministri Berisha shkruan se “e konsideroj procesin e dekriminalizimit jetik për vendin dhe se vlerësoj shumë mbështetjen e SHBA në këtë proces”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG