Lidhje

Ballafaqim Doshi-Frroku në Prokurori


Grupi hetimor i thirri të dy deputetët pas deklarimeve kontradiktore lidhur me ekzistencën e pretenduar nga zoti Doshi për një plan për vrasjen e tij dhe deputetit Mhill Fufi. Sot dëshmoi edhe ish kryeministri Sali Berisha

Në Tiranë, prokuroria po vepron me shpejtësi në hetimet lidhur me deklarimet e deputetit Tom Doshi për ekzistencën e një plani për vrasjen e tij dhe atë të deputetit demokrat Mhill Fufi

Zoti Doshi ishte sot për herë të dytë përpara prokurorëve të cështjes, të cilët e vunë atë përballë deputetit Mark Frroku, pas deklarimeve kontradiktore që ata kanë dhënë mbi ngjarjen. Zoti Doshi kishte deklaruar se ai ishte njoftuar për herë të parë për rrezikun e një atentati nga deputeti Frroku, ndërsa ky i fundit ishte shprehur se nuk kishte patur dijeni paraprake mbi ngjarjen. Burimet nga prokuroria thanë se sërish sot, të dy palët i janë përmbajtur versionit të deklaruara më parë. Vetë zoti Doshi, nuk pranoi të jepte komente.

Ndërkaq përpara prokurorëve sot u paraqit dhe ish kryeministri Sali Berisha. Ai u thirr pas deklaratave të tij në parlament se kishte patur dijeni për ngjarjen që më parë. Pas afër 50 minuta qëndrim përpara grupit hetimor zoti Berisha tha për gazetarët se sipas tij ky ishte akti më i rëndë që kishte ndodhur në të gjithë vitet e demokracisë.

Deputeti Doshi ka deklaruar se sipas tij, pas planit të vrasjes, qëndronte kryetari i parlamentit Ilir Meta. Zoti Berisha tha sot se dorëheqja e zotit Meta do të ishte sipas tij e vetmja alternative për paqen sociale në vend, ndërsa akuzoi autoritet se kishin bërë gjithshka për ta fshehur ngjarjen për 6 muaj me radhë, theksoi ish kryeministri.

XS
SM
MD
LG