Lidhje

Këshilli i Mandateve, OK arrestimit të dy deputetëve

  • Armand Mero

Deputeti Tom Doshi akuzon prokurorinë për manipulim të provave: I arrestuari Bami pranoi se ndryshoi dëshminë nën presion dhe kërcënim se do i vrisnin familjen. Videon e bisedës e regjistroi prokuroria

Në Shqipëri Këshilli i Rregullores dhe Mandateve në parlament vendosi mbrëmë t’i propozojë seancës që të pranojë kërkesën për arrestimin e deputetit Tom Doshi dhe Mark Frroku e bërë nga prokuroria. Vendimi erdhi pas një debate të gjatë në Këshill, ku deputeti Doshi akuzoi prokurorinë për manipulim të fakteve. Zoti Doshi tha se Durim Bami, personi që sipas tij ishte porositur për të kryer vrasjen, ka ndryshuar variantin e rrëfyer para prokurorëve për shkak të kërcënimeve ndaj familjes. Ai tha se Bami e ka pohuar një gjë të tillë në ballafaqimin e bërë me të, i cili me vendim gjykate është regjistruar dhe filmuar në mënyrë të fshehtë nga prokuroria.

Senaca e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve zgjati më shumë se 5 orë. Afër 60 minuta u shpenzuan në debate nëse ajo duhet të bëhej e hapur apo me dyer të mbyllura. Që në hyrje, deputeti Tom Doshi tha se akuzat ndaj tij “nuk qëndrojnë dhe provat e sjella nga Prokuroria janë të manipuluara”. Ai fillimisht tha se në relacionin që shoqëronte kërkesën për arrestimin e tij, nga deklarimet e Durim Bamit, ishte shkëputur vetëm një pjesë e cila sipas tij, i interesonte Prokurorisë. Më pas, zoti Doshi zbuloi se me kërkesë të tij, prokuoria kishte pranuar dhe kishte marrë edhe një vendim gjykate, për të përgjuar ballafaqimin mes tij dhe Bamit.

“Dëshmitari është manipuluar. Është bërë presion psikologjik, deri me vrasjen e fëmijëve. Atij i ka shkuar polici i Reneas, me maskë te dhomat e izolimit dhe i ka thënë: Po fole fëmijët janë në këtë adresë, me vend e me rrugë të saktë. Edhe vetë Durimi nuk e dinte se ku janë si adresë. Po fole ata do të zhduken”, tregoi zoti Doshi duke ju referuar bisedës së rregjistruar. “Këtë video dhe transkriptimin e kemi parë bashkë me prokurorët. Kjo është e vërteta. Dhe sot më akuzojnë mua. Këtë dua nga prokuoria. Të sjellë këtu videon dhe le ta shohin të gjithë se kush sajon. Ky është një turp i madh i Prokurorisë”, u shpreh zoti Doshi duke akuzuar dhe një herë se pas trysninsë ndaj Bamit qëndronte sipas tij, kryetari i parlamentit Ilir Meta, të cilin ai e ka akuzuar se ka qenë urdhëruesi i planit që sipas tij ishte përgatitur për vrasjen.

Më herët dy avokatët mbrojtës të deputetit Doshi folën gjithashtu për një sërë shkeljesh proceduriale në nismën e prokurorisë për të kërkuar arrestimin. Një kërkesë të cilën ata e cilësuan si “të nxituar dhe arbitrare nga ana e Prokuorit të Përgjithshëm”, ndërsa deklaruan se “ka arsye për të besuar në një prapavijë politike”. Edhe formulimet dhe motivet e Prokuorisë për arrestimin e deputetit Doshi, ata i cilësuan si “naive dhe qesharake”.

Si deputeti Doshi ashtu dhe avokatët e tij kërkuan që rregjistrimi i bisedës më Durim Bamin, i realizuar nga prokuroria, t’i paraqitej si provë, por kjo u refuzua nga anëtarët e shumicës në Këshill. Një vendim i konsideruar si i paprecedent nga përfaqësuesit e opozitës. “Qëndrimi ynë është parimor dhe për PD-në është e paimagjinueshme që të pengojë hetimet e Prokurorisë dhe kryerjen e veprimeve të domosdoshme nga ana e saj”, u shpreh Halimi, duke shtuar se “përsa i përket thelbit, shmangia e prokurorisë për më shumë se 6 muaj, bllokimi i hetimeve, dhe pasi doli në sy të të gjithëve, i një videoje me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Gjykatës, tregon se ky process është farsë dhe nuk mund të ketë hetim të besueshëm me kryetarin e parlamentit në krye të detyrës dhe kryeministrin një dëshmitar të heshtur”.

Kjo cështje dhe vecanërisht deklaratat e mbrëmshme të zotit Doshi pritet të ndezin edhe sot debatin në seancën e radhës së parlamentit ku dhe sic u njoftua do të zhvillohet edhe votimi për kërkesën e Prokurorisë. Sipas kësaj të fundit deputetët Doshi dhe Frroku “dyshohen për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”. Në shpjegimin e saj prokuroria nënvizonte se “nga tërësia e veprimeve hetimore, krijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit Doshit, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar. Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë. Nga ana tjetër, organi procedues, në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG