Lidhje

Dosjet e botuara nga Wikileaks sjellin në vëmendje Guantanamon

  • Karolin Presuti

Dosjet e botuara nga Wikileaks sjellin në vëmendje Guantanamon

Dosjet e botuara nga Wikileaks sjellin në vëmendje Guantanamon

Qindra dokumente sekrete të ushtrisë amerikane që janë botuar kohët e fundit zbulojnë historitë e ndryshme të më shumë se 700 personave të cilët janë mbajtur në qendrën e burgimit në Guantanamo të Kubës. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim pasojave që botimi i këtyre dokumenteve nga Wikileaks mund të ketë tek qendrat e ndalimit të ushtrisë amerikane dhe mundësinë e mbylljes së burgut të Guantanamos.

Dokumentet e Wikileaks përmbajnë dosje të pothuajse çdo të burgosuri që është mbajtur në Guantanamo të Kubës gjatë 9 viteve të fundit. Dokumentet, të analizuara nga gazeta “New York Times”, tregojnë për ato që gazeta i quan fakte me “mangësi” në bazë të të cilave janë ndaluar të burgosurit, duke përfshirë edhe citime të tilla, si “i mundshëm” dhe “i panjohur” në vlerësimin e kërcënimeve që paraqesin të burgosurit.

Rreth 600 të burgosur janë trasferuar nga Guantanamo që nga viti 2002. 172 të burgosur ndodhen ende atje. Dokumentet e Wikileaks tregojnë se të ndaluarit mund të përbënin “rrezikshmëri të madhe” nëse ata liroheshin pa mbikqyrjen e duhur.

Michelle McCuler është Drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Drejtësisë së Ushtrisë në universitetin Amerikan në Uashington:

“Disa individë që janë në Guantanamo meritojnë të ndëshkohen, por ka të burgosur tjerë që nuk kanë kryer krime.”

Pentagoni thotë se disa nga dokumentet e Wikileaks janë të bazuara në informacione të vjetra mbi të burgosurit dhe se funksionimi i burgut të Guantanamos do të kishte pasoja, nëse në dokumente janë cituar emrat e rojeve ose të hetuesve.

Këtë javë Shtëpia e Bardhë e kritikoi botimin e dokumenteve. Zëdhënësi i saj Jay Carney tha se presidenti Barak Obama është i angazhuar ndaj premtimit të tij të fushatës zgjedhore për mbylljen e qendrës së ndalimit të Guantanamos. Por analistët thonë se kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë, sepse administrata i ka transferuar çështjet për gjykim përsëri tek gjykatat ushtarake dhe Kongresi nuk ka miratuar fonde për mbylljen e qendrës së burgimit.

Analisti Michael O’Hanlon i Institutit Brokings thotë:

“Mendoj se Presidenti Obama nuk ka një zgjidhje për këtë çështje. Ai e di këtë dhe nuk besoj që kjo mund ta ndryshojë gjendjen.”

Analistët O’Hanlon dhe McCuler thonë se ideja e një qendre ndalimi për të dyshuarit për terrorizëm në Guantanamo përbën sfidë ligjore.

“Ka qenë gjithmonë e debatueshme, në se ka qenë një ide e mirë mbajtja e Guantanamos, vendosja e të burgosurve në një vend që nuk është nën juridiksionin ligjor amerikan, por që gjithsesi është nën kontrollin e Shtetetve të Bashkuara.”

“Unë mendoj se mbajtja e të burgosurve larg fushës së betejës nuk është mënyra më e mirë. Nëse i mban ata larg njerëzve të cilët mund të ofrojnë dëshmi dhe fakte, si mund të merret një vendim nëse ata kanë bërë krime, apo janë njerëz thjeshtë, të cilët janë ndodhur në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.”

Ekspertët thonë se botimi i dokumenteve të fundit nga Wikileaks e kthen vëmendjen përsëri tek çështja e të burgosurëve në Guantanamo, që sipas disa analistëve, administrata e presidentit Obama kishte shpresuar ta shmangte.

XS
SM
MD
LG