Lidhje

Drama amerikane mbi lirinë e shprehjes shfaqet në Kinë

  • Stefani Ho

Drama amerikane mbi lirinë e shprehjes shfaqet në Kinë

Drama amerikane mbi lirinë e shprehjes shfaqet në Kinë

Top Sekret: Beteja për Letrat e Pentagonit nuk është një shfaqje e re, por kohët e fundit kjo dramë u shfaq në disa qytete në Kinë. Ky prodhim amerikan teatri fokusohet në tensionet mes të drejtës së një qeverie për të ruajtur sekretet e ligjshme dhe të drejtën e publikut për të qenë në dijeni mbi veprimet e qeverisë.

Kur duhet qeveria të ushtrojë të drejtën për të mbrojtur sekretet shtetërore? Kur kanë të drejtë qytetarët e një vendi ta dijnë se qeveria e tyre i ka mashtruar ata?

Këto janë disa nga çështjet e mëdha që janë ngritur nga shfaqja dramatike e cila i rikthehet një periudhe të rëndësishme të historisë së Shteteve të Bashkuara që ka ndodhur në Uashington rreth 40 vjet më parë.

Dramaturgu Geoffrey Cowan, ish-drejtor i Zërit të Amerikës dhe profesor në Universitetin e Kalifronisë Jugore, thotë se për herë të parë ideja për këtë shfaqje teatrale i erdhi ndërsa jepte mësim në fakultetin e drejtësisë në lidhje me fjalën e lirë në fund të viteve 1970.

“Në fakt, drama ka nisur të shfaqet në një klasë, kur isha në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në Los Anxhelos dhe jepja mësim në lëndën e masmedias mbi Nenin e Parë të kushtetutës. Ishte një histori dramatike e luftës midis shtypit dhe qeverisë në lidhje me botimin e Letrave të Pentagonit”.

Letrat e Pentagonit ishin një studim sekret i qeverisë së Shteteve të Bashkuara më 1960 që kishte hollësi mbi procesin e vendimmarrjes në Uashington në prag të luftës së Vietnamit. Shfaqja Top Sekret fokusohet në një padi historike që më 1971 vuri përballë qeverinë e Shteteve të Bashkuara kundër gazetës Washington Post, e cila kishte botuar disa nga Letrat e Pentagonit, pavarësisht se kishte një vendim gjyqësor të ngjashëm më parë kundër gazetës New York Times.

Një nga personazhet kryesore në këtë dramë është Katherine Graham, presidentja e Washington Post-it në atë kohë. Në këtë dramë, kryeredaktori i gazetës, Ben Bradlee, prezanton vendimin e saj për gazetarët.

Teatri i Los Anxhelosit shfaqi dramën Top Sekret në Shangai, Guangzhou dhe Pekin. Producentja e dramës Susan Loewenberg ka kaluar më shumë se dy vjet duke u përgatitur për sjelljen e kësaj drame në Kinë.

“Ishte një monent i mrekullueshën në natën që u dha shfaqja në Guangzhou. Kur Kay Graham merr vendimin për të botuar Letrat e Pentagoni, spektatorët shpërthyen në duartrokitje. Dhe kur gjykata vendosi në favor të gazetës Washington Post, ata përsëri shpërthyen në duartrokitje”.

Drama trajton temat nga një ngjarje e veçantë në historinë amerikane të kohëve të fundit, por ajo ngre tema më të mëdha që janë të njohura në Kinë, ku qeveria shihet si një entitet që vepron në fshehtësi. Dramaturgu Cowan thotë se shpreson që anëtarët e publikut do të nxjerrin konkluzionet e tyre.

“Jam i kënaqur që drama u shfaq pikërisht në Kinë, për shkak se temat që i trajton ajo janë të rëndësishme për njerëzit në Kinë. Ky është një vend që po lufton me bazën e saj institucionale dhe unë mendoj se ata mund të shohin diçka që mund të ketë rëndësi për ta ose jo, por shpresoj që të paktën drama të jetë interesante për ta”.

Në një shfaqje të kohëve të fundit në Universitetin e Pekinit, një 26 vjeçare, tha se ajo ishte më e impresionuar nga kurajo e treguar nga gazetarët në atë kohë. Ajo mendon se temat e ngritura nga shfaqja e dramës janë universale dhe Kina mund të mësojë nga ato.

Një anëtar tjetër i audiencës, inxhinieri 29-vjeçar Wang, thotë se ai ndjehej se Katherine Graham mori një vendim të guximshëm për të publikuar Letrat e Pentagonit.

Ai thotë se shfaqja tregon se populli amerikan është i lirë të shpreh pikëpamjet e tij dhe mund të marrë pjesë në debatet e vazhdueshme mes qeverisë amerikane dhe medias për të përkufizuar lirinë e shtypit.

Anëtarët e audiencës së dramës Top Sekret në Shanghai dhe Pekin morën pjesë në diskutimet e zhvilluara pas shfaqjes, edhe pse bisedimet e ngjashme u anuluan në Universitetin e Pekinit dhe në Universitetin Sun Yat Sen në Guangzhou. Në Universitetin e Pekinit, autoritetet thanë se e anuluan diskutimin sepse nuk donin të lejonin organizimin e aktiviteteve që nuk kishin të bënin me shfaqjen.

XS
SM
MD
LG