Lidhje

“Dreaming American”, filmi rreth të riut shqiptar


Imigracioni është një nga temat më të debatuara në SHBA kohët e fundit dhe një nga elementët më të diskutuar ka qenë fati i emigrantëve që jetojnë në vend pa dokumente. Këtë përvojë e përjetoi për vite me radhë në Nju Jork dhe aktori Prekë Radoina, një i ri nga Thethi, në veri të Shqipërisë. Vështirësitë e tij gjatë kohës kur ishte ende një imigrant i paligjshëm pasqyrohen në filmin me metrazh të shkurtër “Dreaming American”, me skenar dhe regji të fituesit të Çmimit Emmy për montazh, Lee Percy. Në film Preka, i cili njihet dhe me emrin e artit Praq Rado, interpreton vetveten në rolin kryesor dhe gjatë një interviste me gazetarin e Zërit të Amerikës Julian Zyla, në Nju Jork, autorët thanë se kanë në plan të realizojnë dhe versionin me metrazh të gjatë të filmit.

“Dreaming American”, filmi rreth të riut shqiptar
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:33 0:00

Zëri i Amerikës: Ky film është i rëndësishëm për të dy ju, pasi është filmi juaj i parë si regjisor, zoti Percy, dhe tregon jetën tuaj, Prekë. Si u krijua ky film?

Praq Rado: Kur po mundohesha të merrja dokumentet dhe po kaloja vështirësitë e shumta me zyrën e imigracionit, shpesh u tregoja rreth këtyre gjërave shokëve të mi aktorë apo emigrantë. Disa prej tyre më thanë që historia ime ishte e përshtatshme për t’u bërë film dhe më sugjeruan të gjeja dikë që të mund ta realizonte një projekt të tillë. Kështu fillova të kërkoja kontakte me njerëz të botës së kinemasë, duke shkuar shpesh dhe nëpër festivale filmash. Një natë po punoja si kamarier dhe Lee rastisi të ishte atje.

Lee Percy: Ishte një festë me njerëz të industrisë së kinemasë dhe Praq po punonte aty. Ne filluam të bisedonim për filmat dhe më vonë, gjatë vazhdimit të mbrëmjes, ai erdhi tek unë dhe më tha: “Ti do të bësh një film rreth jetës sime.” Unë e pyeta: “Çfarë ka jeta jote që do të mund të kthehej në një film?” Ai më tregoi historinë e tij dhe unë mendova se ishte shumë prekëse. Unë e kam filluar karrierën si aktor, kështu që kuptoja mirë vështirësitë e tij si një aktor i ri, duke shkuar në shkollë aktrimi, etj. Kështu shkruam skenarin dhe projekti nisi të merrte formë. Më pas unë ia tregova skenarin Barbet Schroeder, një regjisor i emëruar si kandidat për Çmimin Oskar, me të cilin kam punuar prej vitesh. Ai e pëlqeu shumë dhe pranoi të bëhej producent ekzekutiv i filmit. Patëm gjithashtu Nancy Schreiber si drejtore të fotografisë, si dhe aktorin Giancarlo Esposito në një nga rolet dytësore më interesante në film.

Zëri i Amerikës: Prekë, regjisori Percy tha se historia juaj iu duk prekëse. Çfarë mendoni se e veçon historinë e jetës suaj nga ato të imigrantëve të tjerë që hasin vështirësi këtu në SHBA apo vende të tjera?

Praq Rado: Unë u rrita në një fshat të vogël të Shqipërisë, në Theth, dhe të rritesh në një vend kaq të vogël e më pas të zhvendosesh në një nga qytetet më të mëdha të botës si Nju Jorku, është një ndryshim shumë i madh. Pra pëson atë që quhet tronditje kulturore, për gjëra si shkuarja nga të mos pasurit asgjë tek supermarketet, me 15 lloje të ndyshme qumështi, për shembull. Kam kaluar vështirësi të përditshme me të cilat përballen shumë imigrantë dhe tek të cilat shumë njerëz mund të gjejnë vetveten. Mendoj se kjo është ajo që e bën historinë të vërtetë dhe më emocionale, duke e bërë të përshtatshme për t’u bërë film.

Lee Percy: Me anë të një filmi kërkohet gjithmonë të argëtosh njerëzit dhe të tregosh një histori të mirë dhe por ne gjithashtu shpresojmë që historia e tij, si një emigrant që ishte këtu pa dokumente për një kohë të gjatë, të mund të përfaqësojë ato të miliona njerëzve të tjerë. Ne duam që kur publiku të dalë nga kinemaja, pavarësisht mendimeve që kanë dhe historive që dinë mbi emigrantët, t’i shtojnë atyre dhe historinë dhe fytyrën e tij, si një nga përfaqësuesit e emigrantëve këtu në SHBA.

Praq Rado: Unë shpresoj që me filmin tonë të mund të frymëzojmë të rinj në mbarë botën, pasi kur unë erdha këtu, jo vetëm që nuk flisja anglisht, por nuk dija as të shkruaja apo lexoja gjuhën time. Dhe vendosa të vija këtu me shpresën për t’u bërë dikush.

Zëri i Amerikës: Pra, a do t’ia këshillonit të rinjve të tjerë atë që bëtë ju, duke pasur parasysh vështirësitë që thoni se keni kaluar?

Praq Rado: Kur punon me ngulm, natyrisht që mund të arrish gjëra në jetë. Prandaj nëse ata duan të arrijnë diçka, duhet t’i kushtojnë edhe zemrën. Unë isha një bari në Shqipëri dhe nuk kisha asnjë lloj arsimimi, ndërsa tani po mbaroj universitetin. Pra nëse dëshiron një gjë, duhet të punosh shumë për ta arritur.

Zëri i Amerikës: Zoti Percy, ky ishte filmi juaj i parë si regjisor, por ju jeni dhe një profesionist i montazhit të filmave dhe madje keni fituar Çmimin Emmy për një prej punëve tuaja. Pra një person që punon prej një kohe të gjatë në kinematografi. Cili ishte ndryshimi mes punës që kishit bërë deri atëherë dhe asaj për këtë film?

Lee Percy: Ishte ndryshe, pasi unë shkrova skenarin dhe isha regjisor, pra merrja vendimet mbi skenat e këtij filmit. Megjithatë montazhi në shumë aspekte është i ngjashëm me shkrimin e skenarit dhe regjisurën sepse përbën formën përfundimtare që merr filmi dhe ka të bëjë me zhvendosjen e skenave dhe batutave nga një pjesë në një tjetër, si në redaktimin e një libri. Pra në këtë kuptim, specialistët e montazhit janë shumë të mirë për t’u bërë regjisorë. Për më tepër, unë kisha dhe pak eksperiencë si aktor në të shkuarën, prandaj mendoj se isha gati për të ndërmarrë diçka të tillë dhe për mua ishte një përvojë shumë e bukur.

Zëri i Amerikës: Ju vendosët të zgjidhnit Prekën të luante vetveten në film. A ka aktorë të tjerë në film që luajnë rolin e vetes së tyre?

Lee Percy: Jo, nuk ka. Ne e rrethuam atë me aktorë me shumë përvojë, pasi ky ishte një hap i madh për të. Patëm një drejtor të roleve shumë të talentuar, Kerry Barden, i cili zgjodhi aktorë shumë të mirë. Praq duhej të ishte qendra karizmatike e filmit, rreth të cilit të punonin të gjithë këta njerëz të talentuar. Mendoj se e arritëm këtë me sukses.

Zëri i Amerikës: Duke u bazuar në këtë përvojë apo në ndonjë plan që mund të keni, a mendoni se do të punoni sërish së bashku së shpejti, apo në të ardhmen?

Praq Rado: Lee sapo mbaroi së shkruari skenarin për versionin e gjatë të filmit “Dreaming American”. Një projekt për të cilin ka nisur puna. Kështu që së shpejti do të realizojmë së bashku versionin e gjatë.

XS
SM
MD
LG