Lidhje

Drejtësia, në Tiranë ekspertët e Venecias


Delegacioni diskutime rreth procesit të reformës. Takime me autoritetet politike dhe drejtuesit e institucioneve të sistemit gjyqësor

Në Shqipëri, një delegacion i ekspertëve të komisionit të Venecias nisi sot një seri takimesh me autoritetet më të lartë të vendit dhe drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, për të diskutuar lidhur me reformën në Drejtësi. Delegacioni i Komisionit të Venecias, një organ i specializuar i Këshillit të Europës në fushën e legjislacionit, ndodhet në Tiranë, pasi 10 ditë më parë, gjatë sesionit të vet plenar, nisi diskutimin rreth projektit të ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga Komisioni ad hoc i parlamentit shqiptar për reformën në Drejtësi.

Kryetari i këtij Komisioni Fatmir Xhafaj evitoi pjesmarrjen në sesionin e Komisionit të Venecias, duke shpjeguar se “reforma është konceptuar dhe është duke u realizuar si një reformë e ekspertëve dhe profesionistëve të fushës së drejtësisë. Projekti me ndryshimet kushtetuese që i është përcjellë Komisionit të Venecias për opinion është në thelb fryt i punës së Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, vendas e ndërkombëtar”, shkruante zoti Xhafa në letrën e tij, duke nënvizuar se “dëshiroj ta shoh mospjesëmarrjen time në atë tryezë të nderuar si një kontribut shtesë për të shmangur në këtë mënyrë cfarëdo lloj insinuate që do të politizonte apo do të përdorej për të cënuar vlerat e larta, paanësinë dhe profesionalizmin e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit”.

Komisioni i Venecias, pritet të japë një opinion mbi këto propozime brenda muajit dhjetor. Atij do t’i duhet të vlerësojë edhe një numër jo të vogël propozimesh të dërguara edhe nga opozita shqiptare, e cila ka hedhur dyshime mbi projektin e hartuar nga ekspertët e angazhuar nga Komisioni parlamentar.

Në përfundim të takimit me delegacionin e Venecias, deputeti i Partisë demokratike Eduard Halimi tha se “shpalosëm alternativat që ne japim në funksion të zgjidhjeve më të mira që procesi dhe reforma të jetë konsensuale dhe jetëgjatë. I shprehëm dhe anëtarëve të Komisionit të Venecias, gadishmërinë tonë dhe qëndrimin tonë si PD, për një reformë në drejtësi konsensuale, transparente dhe gjithpërfshirëse, një reformë e cila duhet të luftojë në mënyrë të padiskutueshme me mekanizmat e reja, korrupsionin në sistemin e drejtësisë, i cili është i përhapur gjerësisht për fat të keq, por kjo luftë ndaj korrupsionit në mënyrë të njëkohshme duhet të garantojë pavarësinë. Ekspertët tanë – shpjegoi zoti Halimi - shprehën shqetësimin e tyre lidhur me mungesën dhe heqjen e garancive kushtetuese për gjyqtarët e ndershëm dhe prokurorët e ndershëm në lidhje me testimin që atyre do t’u bëhet, heqjen e së drejtës së ankimit, heqjen e së drejtës së gjykatës kushtetues për t’u shprehur lidhur me paketën e ndryshimeve kushtetuese, me mekanizmat e reja të cilat propozohen të miratohen me 84 vota, të cilat mazhoranca qeverisëse aktualisht i ka, mekanizmat të cilat çojnë drejt kapjes së drejtësisë”, u shpreh zoti Halimi.

Vërejtje ndaj punës së realizuar nga Komisioni parlaentar ad hoc ka shprehur publikisht dhe presidenti Bujar Nishani. Në takimin e sotëm me delegacionin e Venecias ai ka theksuar se se “reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e efektshme dhe afatgjatë duke iu nënshtruar një diskutimi të gjerë e të detajuar publik me mendimet dhe sugjerimet e të gjithë aktorëve dhe grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe ekspertëve të pavarur ligjorë”.

Ekspertët e Komisionit të Venecias patën një takim dhe më kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, sipas të cilit “procesi i reformës në drejtësi është ndjekur me vëmendje nga gjyqtarët dhe se Gjykata e Lartë ka përfaqësuesit e saj në grupet e punës të ngritura për këtë qëllim”. Ai theksoi se “ky proces është mëse i domosdoshëm për Shqipërinë, pasi ekzistojnë shumë probleme të cilat kanë nevojë që të adresohen në mënyrë shteruese, por duke gjetur mekanizma të afta që të garantojnë dhe sigurojnë pavarësinë e gjyqësorit, eficiencën si dhe rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit”, nënvizoi zoti Zaganjori.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG