Lidhje

Reforma në Drejtësi, kritikat e Nishanit


Presidenti: Procesi i zvarritur, jo transparent dhe aspak konsensual. Reagon Fatmir Xhafaj: Retorika boshe. Opozita: Më parë të pastrohet parlamenti nga deputetët me të kaluar kriminale

Në Shqipëri presidenti Bujar NIshani u shpresh sot me nota kritika ndaj reformës në Drejtësi, duke e konsideruar procesin si të zvarritur, jo transparent dhe aspak konsensual, tha ai duke ju referuar mungesës së opozitës në komisionin e posacëm parlamentar. Presidenti i bëri komentet e tij gjatë një tryeze të organizuar nga misioni europian i asistencës në Drejtësi. Deputeti socialist Fatmir Xhafaj, i cili po udhëheq procesin e reformës foli për "retorika boshe" pas takimit, ndërkohë që opozita thotë se nuk mund të ketë një reform në Drejtësi përsa kohë në parlament sipas saj ka deputetë me të kaluar kriminale.

Takimi i sotëm për Drejtësinë në të cilin merrnin pjesë aktorë të shumtë të këtij sistemi, sikundër dhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare që ndihmojnë Shqipërinë në procesin e reformës, u zhvillua me dyer të mbyllura. Megjithatë, polemikat nuk mbetën brenda sallës, ku presidenti Bujar Nishani, sipas fjalimit të shpërndarë më pas nga zyra e tij, është treguar tejet kritik me mënyrën se si ka ecura reforma në Drejtësi e cila sic tha ai “po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, pa përfshirjen e opozitës”.

Zoti Nishani, e cilësoi procesin “të zvarritur, të vonuar, jo transparent, jo gjithëpërfshirës dhe aspak konsensual në drejtim të realizimit të një reforme kaq të rëndësishme”. Presidenti deklaroi se institucioni i tij është lënë jashtë tryezave të punës, ndërsa e vlerësoi problematik faktin se, ndërkohë që ecet me reformën janë ndërmarrë nisma për ndryshime ligjore që sipas tij janë “të pakonsultuara, as me Komisionin e Venecias”. Presidenti kërkoi që në fazën e mbetur të reformës të ketë një angazhim më të madh të misionit europian të asistencës Euralius IV.

Në përfundim të takimit, kryetari I Komisionit të Ligjeve, i cili po udhëheq dhe procesin e reformës, Fatmir Xhafaj, hodhi poshtë kritikat e zotit Nishani për mospërfshirjen e institucionit që ai drejton ndërsa deklaroi: “Unë nuk bëj pjesë në ata që flasin. Unë bëj pjesë në ata që punojnë për ta ndryshuar. Ka një diferencë mes atyre që flasin me retorika boshe, dhe atyre që bëjnë një përpjekje sado modeste apo të vogël, për ta ndryshuar këtë situatë.Që sot ka paaftësi, ka papërgjegjshmëri dhe korrupsion në sistem, kjo është e dukshme”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i opozitës Eduard Halimi, përsëriti dhe një herë qëndrimin se opozita kërkon numër të barabartë dhe bashkëkryesimin e komisionit të reformës, që të bëhet pjesë e tij, ndërsa akuzoi shumicën se me arrogancë ka ndërhyrë në disa ligje të rëndësishme vetëm për të kapur sipas tij, sistemin e Drejtësisë. Për zotin Halimi, “para se të pastrosh oborrin e tjetrit, pra oborrin e sistemit të Drejtësisë nga korrupsioni, duhet të largosh plehrat nga oborri yt. Nuk mund të miratosh ligje për Drejtësinë me kartonat e deputetëve të cilët kanë rekorde të tmerrshme kriminale”.

Javën e ardhshme, komisioni i Reformës në Drejtësi, pritet të prezantojë dhe dokumentin e analizës së hollësishme të të gjithë sistemit, i hartuar me angazhimin e një numri të madh ekspertësh të huaj dhe vendas.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG