Lidhje

Drejtësia, ambasadori Lu takim me Nishanin


Presidenti kritika të ashpra procesit të Reformës. Ekspertët edhe sot vazhduan punën për rishikimin e projektit të ndryshimeve kushtetuese, pa praninën e përfaqësuesve të opozitës e cila u largua mbrëmë në shenjë proteste

Në Shqipëri ambasadori i Shteteve të Bashkuara Donald Lu u takua sot me presidentin Bujar Nishani. Takimi duket se ka patur në qendër cështjen e reformës në Drejtësi. Javën e shkuar presidenti Nishani kërkoi një tryezë të drejtuesve kryesorë politik të vendit, ndërsa sot në një intervistë për të përditshmen “Panorama” ai kritikon me nota të forta procesin e reformës. Sipas tij ai ishte “një proces i mbyllur, aspak profesional, i njëanshëm dhe pa asnjë objektiv të deklaruar qartë”. Presidenti është i mendimit se një vit e gjysëm punë e ekspertëve të huaj dhe vendas të angazhuar nga Komisioni ad hoc i parlamentit shqiptar ishte një kohë e cila “shkoi dëm. Komisioni i Venecias e rrëzoi të gjithë themelin e asaj që ishte shkruar dhe palët u ulën të nisin nga pika zero”.

Sipas presidentit Nishani, edhe rishikimi i projektit mbi bazën e rekomandimeve të Venecias, nuk mund të bëhet nga ekspertët, duket qenë se sipas tij ata janë përgjegjës për dokumentin e propozuar mbi të cilin sic thekson ai komisioni i Venecias ka ngritur një mori pikëyetjesh. Presidenti shkon më tej kur thotë se “me shqetësim po shoh se ka një skenar për të bërë ndryshime kushtetuese vetëm me votat e maxhorancës. Por votat maxhoranca nuk i ka. Atëhere ku do gjënden votat e tjera që kjo të bëhet fakt i kryer ? Do të merren nga deputetë të vecantë të opozitës ? Si do merren ? Permes korruptimit të tyre ? A mund të shërohet sistemi i drejtësisë me një proces që themelohet përmes korrupsionit?”.

Mbi takimin mes presidentit Nishani dhe ambasadorit amerikan nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar. Ambasadori Lu ka qenë një mbështetës i fortë i procesit të reformës, ndërsa në mënyrë të përsëritur ka nënvizuar publikisht se projekti i ndryshimeve kushtetuese mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe se ekspertët e saj dhe të Bashkimit europian janë pjesë e hartimit të këtyre ndryshimeve. Javën e shkuar, së bashku me ambasadoren e Bashkimit europian Romana Vllahutin, ambasadori Lu ndërmjetësoi dhe rikthimin e përfaqësuesve të opozitës në tryezën e ekspertëve që po rishikojnë projektin mbi bazën e rekomandimeve të Venecias.

Por mbrëmë, opozita u largua sërish. Problem mbetet sërish cështja e emërimit të anëtarëve të institucioneve të Drejtësisë që zgjidhen nga parlamenti. Opozita, duke ju referuar shqetësimit të ngritur dhe nga Komisioni i Venecias kundërshton zgjedhjen e tyre me 3/5 e parlamentit. “Edhe pse u ra dakord parimisht për të reflektuar rekomandimin nr. 55 të Komisionit të Venecias dhe që propozimi i ekspertëve të Partisë Demokratike do të shqyrtohej me kujdes, që në fillim të mbledhjes, pa asnjë argument, ekspertët e caktuar nga mazhoranca refuzuan ta analizonin këtë propozim, duke treguar vendosmërinë e tyre për të mos marrë në vlerësim asnjë alternativë që siguron moskapjen politike të sistemit të drejtesisë, pavarësisht qëndrimit të prerë të mbajtur nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje”.

Grupi i ekspertëve ka vazhduar punën pa praninë e opozitës edhe sot. Rishikimi i projektit të ndryshimeve kushtetuese duhet të mbyllet brenda ditës së sotme, në mënyrë që nesër ai të miratohet nga Komisioni parlamentar ad hoc e t’i dërgohet menjëherë komisionit të Venecias. Javën e ardhshme ekspertë të këtij Komisioni do të mbërrijnë në Tiranë, për të diskutuar me palët para se ata të shprehen me një vlerësim përfundimtar.

XS
SM
MD
LG