Lidhje

Drejtësia, Basha: OK me Komisionin e Venecias


Kryetari i opozitës takon ambasadorin amerikan Donald Lu: Të gatshëm të zbatojmë plotësisht rekomandimet për Reformën

Në Shqipëri kryetari i opozitës Lulzim Basha tha sot se ajo është e gatshme të zbatojë plotësisht rekomandimet e Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi

“Kjo është harta e rrugës që partitë politike, partitë parlamentare duhet të ndjekin për të përfunduar me sukses reformën në drejtësi. Në emër të Partisë Demokratike i bëj thirrje sot kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim të bëhen pjesë e përpjekjes së Partisë Demokratike për një reformë të plotë, të thellë dhe të shpejtë në drejtësi për të luftuar korrupsionin dhe në të njëjtën kohë për të parandaluar kapjen politike të sistemit të Drejtësisë”, u shpreh zoti Basha.

Deklarata e tij, u bë në përfundim të një takimi që pati me ambasadorin amerikan Donald Lu. Ky i fundit kishte takuar më herët edhe ish kryeministrin Sali Berisha. Dy ditë më parë përfaqësuesit e opozitës në parlament kishin folur me tone tejet kritike ndaj paketës së propozimeve kushtetuese që i kishin shkuar për vlerësim Komisionit të Venecias.

Kritika pati dhe nga ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Por dhe nga partia e tij, Lëvizja socialiste për Integrim, sot, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së deklaroi se “mbështet plotësisht kryerjen e kësaj reforme aq jetike për shqiptarët, si dhe kryerjen e saj sa më parë, në mënyrë gjithëperfshirëse dhe me cilësinë më të lartë”. Zoti Vasili i mëshoi dhe rëndësisë së konsensusit ndërsa vlerësoi rekomandimet e Komisionit të Venecias si “tepër të rëndësishme për një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, parime mbi të cilat duhet të mbështetemi. LSI vlerëson se Komisioni i Venecias është gjykatësi i vetëm më i besueshëm dhe i nivelit më të lartë profesional i kësaj reforme, gjykatës i gjithëpranuar nga të gjitha partitë politike dhe këtë rol nuk mund ta luajë askush tjetër”, nënvizoi zoti Vasili.

XS
SM
MD
LG