Lidhje

Drejtësia ende e parealizuar për fëmijët e konflikteve të armatosura


Drejtësia ende e parealizuar për fëmijët e konflikteve të armatosura
Drejtësia ende e parealizuar për fëmijët e konflikteve të armatosura

Miliona fëmijë janë viktima të konflikteve të armatosura. Shumë prej tyre vriten, gjymtohen, përdhunohe dhe traumatizohen për gjithë jetën. Shumë fëmijë janë rekrutuar për të luftuar për qeveri apo grupe rebele. Ata janë detyruar të kryejnë mizori dhe shpesh janë ndjekur penalisht për krimet e tyre. Një studim i Kombeve të Bashkuara, i quajtur “Fëmijët dhe drejtësia gjatë dhe pas konflikteve të armatosura,” analizon se si fëmijët e përfshirë në luftë mund të kërkojnë drejtësi në lidhje me dhunimet ndaj të drejtave të tyre dhe studion se deri në çfarë mase fëmijët duhet të konsiderohen përgjegjës për krimet që kryejnë. Një grup ekspertësh zhvilloi një takim në Gjenevë për të diskutuar mbi këto probleme.

Lufta në Bosnje Hercegovinë filloi në vitin 1992. Rrethimi i kryeqytetit, Sarajevë, zgjati rreth katër vjet. Gati 10 mijë njerëz mbetën të vrarë, përfshirë 1.500 fëmijë. Ambasadoren boshnjake në Kombet e Bashkuara, Emina Keco-Isakovic, e torturojnë ende këto kujtime. Ajo përjeton sërish ankthin e provuar nga i biri në atë kohë.

“Zhurma e topave që gjuanin drejt qytetit, ishte diçka e përnatshme. Djali im dhjetë-vjeçar më pyeste nëse ai do të vdiste atë natë. Dhe çdo natë unë përgjigjesha “jo, ti nuk do të vdesësh”, dhe e mbaja në krahë derisa e zinte gjumi... Të gjithë fëmijët e Sarajevës së rrethuar ende vuajnë nga trauma në formën e ‘pritjes së vdekjes’”.

Ndërkohë që studimi thotë se fëmijët duhet të dëmshpërblehen për dhunimin ndaj të drejtave, zonja Keco-Isakovic thotë se për fëmijët e Sarajevës nuk është vënë kurrë në vend drejtësia për krimet e kryera ndaj tyre.

“Kur vritet një evropian në një aksident rrugor, autori dënohet me dhjetë vjetë burg. Kur vriten me mijëra njerëz në Ballkan, Azi dhe Afrikë, autorët qëndrojnë në burg për pesë apo gjashtë vjet. Lirijmi justifikohet me arsyetime si sjellja e mirë e mosha”.

Meseh Kamara ishte fëmijë gjatë luftës civile një-dekadëshe në Sierra Leone.

“Unë jam këtu për të përfaqësuar ata miliona fëmijë, zërat e të cilëve nuk dëgjohen aq sa duhet dhe të cilët nuk mund të shihen brenda kësaj dhome të vogël. Por, jashtë kësaj dhome, ata janë ende duke vuajtur pasojat e konfliktit.”

Meseh Kamara humbi prindërit e tij. Ai mësoi të mbijetojë dhe vendosi të bëhej veprimtar për të drejtat e fëmijëve. Tani ai është 24 vjeç dhe është duke studiuar për t’u bërë avokat për të drejtat e njeriut.

Ai thotë se ishte shumë e rëndësishme për të dhe fëmijë të tjerë që përjetuan atë luftë brutale, të shohin nxjerrjen para drejtësisë të atyre që shkaktuan këtë mizori.

“Unë isha 11 vjeç dhe u vura në mesin e një konflikti, që unë nuk shkaktova, por të cilin e vuajta jashtë mase. Pra drejtësia dhe përgjegjësia është shumë e rëndësishme për ne. Por është gjithashtu diçka vendimtare që të drejtat tona të vihen në vend. Të mos harrojmë se ata na vodhën të drejtat dhe kur diçka vidhet prej dikujt, është shumë e rëndësishme që ajo gjë te rikthehet.”

Zoti Kamara mendon se gjyqet kundër të dyshuarve për krime lufte në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen dhe kundër ish-Presidentit liberian, Charles Taylor, në Gjykatën e Hagës janë shumë vendimtare. Ai thotë se ato po u japin fëmijëve dhe të rinjve të Sierra Leones shpresë se do të ketë drejtësi.

Ndërkohë që fëmijët janë padyshim viktima të luftës, studimi i Kombeve të Bashkuara vërteton se disa fëmijë janë gjithashtu të përfshirë në kryerjen e krimeve.

Radhika Coomaraswamy është Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijët dhe Konfliktet e Armatosura si dhe një nga autoret kryesore të studimit. Ajo thotë se fëmijët që janë rrëmbyer dhe detyruar nga komandantët e tyre ushtarakë të kryejnë mizori nuk duhet të ndiqen penalisht dhe të gjykohen njëlloj si të rriturit. Ajo thekson se sipas ligjeve ndërkombëtare, rekrutimi dhe shfrytëzimi i fëmijëve nën moshën 15 vjeçare përbën krim lufte.

“Ne do të donim një proces që ne e quajmë ‘të devijuar’, sipas të cilit fëmijët të devijohen nga gjykimi dhe sistemi penal në një mekanizëm tjetër, që mund të jetë ose një ‘komision i së vërtetës dhe pajtimit’, i bazuar mbi thënien e së vërtetës dhe rivendosjen e drejtësisë, ose një ‘proces rihabilitimi’... Ne kërkojmë që nëse fëmijët ndiqen penalisht, ky hap duhet të përbëjë absolutisht alternativën e fundit.”

Studimi vëren se shtetet janë duke mbajtur nën arrest gjithmonë e më shumë fëmijë të përfshirë në aktivitetet e grupeve të armatosura, me arsyetimin se ata përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare ose sepse kanë marrë pjesë në luftime.

Sipas studimit, fëmijët e mbajtur nën arrest për shkak të konflikteve janë tepër të rrezikuar. Vetëm disave prej tyre u vihen avokatë në dispozicion dhe shpesh ayre nuk u jepen shpjegime lidhur me arsyet e arrestimit.

Studimi argumenton se shtetet nuk duhet të arrestojnë fëmijë nën moshën 15 vjeçare dhe se në rastet kur ndodh kjo, ata duhet të mbahen nën arrest në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me me garancitë e drejtësisë. Gjithashtu kërkohet që Kombet e Bashkuara të lejohen të ketë mundësi për të kontrolluar qendrat e burgosjes së fëmijëve.

XS
SM
MD
LG