Lidhje

Drejtësia shqiptare mes pengesave politike dhe nevojës për reformim


Drejtësia shqiptare mes pengesave politike dhe nevojës për reformim

Drejtësia shqiptare mes pengesave politike dhe nevojës për reformim

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë i ka shtuar këto ditë përpjekjet për të ngritur strukturat e veta vetrregulluese dhe për të lëvizur përpara reformat e kërkuara nga shoqëria shqiptare dhe Bashkimi Europian. Gjykata Kushtetuese ka tani një kryetar të ri. Presidenti Bamir Topi i uroi suksese kryetarit të ri të Kushtetueses, Bashkim Dedja, teksa i dorëzoi dekretin e sapomiratuar nga Parlamenti.

Ndërsa zoti Dedja, kryetari më i ri në moshë në historinë e kësaj Gjykate, u angazhua të zbatojë “me përpikmëri e korrektësi Kushtetutën” dhe se do të jetë “i përkushtuar dhe i paanshëm në kryerjen e detyrës së lartë”. Gjykata Kushtetuese u bë disa ditë temë e kritikave politike, pasi kryetarit dhe disa anëtarëve u kishte mbaruar mandati.

Po ashtu anëtarë me mandate të përfunduara gjenden aktualisht në shumë shkallë dhe institucione të drejtësisë shqiptare, siç është edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Parlamenti nuk ka miratuar ende një ligj për organizmin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, nga duhet të zgjidhen 4 anëtarë të KLD-së.

Kushtetuta e Shqipërisë është miratuar 12 vjet më parë, por asnjë qeveri deri tani ende nuk ka ndërmarrë një nismë ligjore mbi funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Kjo vonesë dhe nevoja urgjente e KLD-së për të patur anëtarë 4 përfaqësues të komunitetit të gjyqtarëve, i nxiti këta të fundit që të ndërmarrin vetë hapa për të ngritur mekanizma vetrregullues.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, dhe 252 gjyqtarë, ose 4/5 e gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë organizuan një takim me nismën e tyre dhe vendosën të mbledhin Konferencën Gjyqësore Kombëtare më 15 nëntor. Në këtë mbledhje me votim të hapur u vendos gjithashtu që në mbledhjen e ardhshme të paraqitet edhe një projekt-rregullore, e cila paradoksalisht, sipas tyre, mungon në një komunitet që zbatimin e ligjeve e ka vetë detyrë kryesore. Organizatorët pohuan se “kjo nismë mbështetet tek vetë Kushtetuta e Shqipërisë, në nenet e të cilës vendoset ngritja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, dhe e drejta e gjyqtarëve për të zgjedhur periodikisht përfaqësuesit e tyre si anëtarë të KLD-së”.

Gjyqtarët vendosën të mbledhin konferencën e tyre Kombëtare në mes të nëntorit, duke deklaruar se “ndarja dhe balancimi i pushteteve nuk është vetëm një teori kushtetuese, por është një parim shumë i rëndësishëm i një shteti demokratik, dhe se një pushtet nuk dëshmohet vetëm duke respektuar pushtetet e tjera, por mbi të gjitha duke ushtruar dhe përmbushur kompetencat kushtetuese”.

Një tjetër çështje që i lidhet me vonesat parlamentare në reformimin e sistemit gjyqësor është edhe ngritja e Gjykatave Administrative. Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i kërkoi parlamentit shqiptar që të miratojë sa më parë projekt-ligjin mbi ngritjen e gjykatave administrative, i cili është hartuar dhe pret në tavolinat e deputetëve për muaj të tërë.

Ambasada amerikane publikoi dje një deklaratë, ku i kërkoi parlamentit shqiptar të miratojë me shpejtësi brenda katër ditëve të ardhshme projektligjin për gjykatën administrative, në mënyrë që të mos digjen fondet e planifikuara për këto gjykata. Ligji mbi gjykatat administrative është një prej gjashtë elementëve të Programit të Pragut të Dytë të Korporatës Sfida e Mijëvjecarit.

“Dështimi për ta miratuar atë do të çojë në mbylljen e veprimtarive për gjykatat administrative që administrohen nga USAID nën Programin e Pragut”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Shteve të Bashkuara e cila saktëson se me qëllim që fondet të mos digjen “ligji duhet miratuar deri më 30 shtator”.

Miratimi i ligjit, i cili është përgatitur që në fillim të vitit të shkuar, ka mbetur peng i përplasjeve politike, duke qenë se kërkon edhe votat e opozitës socialiste. Kjo e fundit që me rikthimin e saj në parlamentin e ri, pas 6 muajsh bojkot, nuk merr pjesë në asnjë votim.

Në deklaratën e ambasadës amerikane nënvizohet fakti se ligji për gjykakat administrative “është me rëndësi themelore për të ndihmuar Shqipërinë për të nxitur transparencën në sistemin gjyqësor, të forcojë shtetin ligjor dhe të rrisë besimin e publikut ndaj institucioneve”.

Të shtatë gjykatat administrative, që parashikohet të ngrihen, do të gjykojnë mosmarrëveshjet e qytetarëve dhe bizneseve mbi punësimin, taksat dhe pronat. Mbetet të shihet edhe një herë tjetër në seancën parlamentare të kësaj jave vullneti i partive politike për reformimin e sistemit të drejtësisë.

XS
SM
MD
LG