Lidhje

Greva në Bulqizë: Drejtori i ACR fajëson ndërmjetësit e jashtëm


Greva në Bulqizë: Drejtori i ACR fajëson ndërmjetësit e jashtëm

Greva në Bulqizë: Drejtori i ACR fajëson ndërmjetësit e jashtëm

Edhe kur ka kaluar dita e 17 e grevës së urisë së minatorëve të Bulqizës, drejtori ekzekutiv i kompanisë ACR, Giga Bedineishvili, tha se ai dhe kompania janë tërësisht të gatshëm dhe kanë vullnetin e plotë për të diskutuar kërkesat e grevës së urisë që lidhen me rritjen e pagave dhe me kushtet e punës.

Ai tha se është kujdesur që gjatë investimeve të përmirësohen paralelisht edhe kushtet e punëtorëve, madje pak kohë më parë u rritën edhe pagat 50 për qind.

Drejtori i ACR-së thotë se nuk po arrihet marrëveshje me punëtorët, sepse disa ndërmjetësues po sjellin ngatërresa.

Për fat të keq janë atje disa persona të jashtëm që nuk kanë lidhje me Bulqizën, disa udhëheqës sindikalistë apo politikë, që po mundohen të futen midis drejtuesve të minierës dhe punëtorëve. Ky është problemi. Ne kemi një sindikatë lokale në Bulqizë dhe jemi shumë të lumtur që të bisedojmë me ta” - tha zoti Bedineishvili.

Ai përshkroi se dy javë më parë gjashtë minatorë dhe disa persona të jashtëm thyen zyrat e administratës në minierë, nxorrën jashtë për krahu zyrtarët me gjithë kompjutera e makina dhe u thanë se nuk mund të shkonin më atje. Sipas tij, policia e shtetit nuk bëri asgjë ndaj këtij akti dhune, ndonëse kjo është detyrë e shtetit.

“Kërkesat e grevës kanë ndryshuar disa herë, por ne jemi gati të bisedojmë. Greva nisi me kërkesan për të rritur pagat, pastaj u shtuan edhe të tjera. Shumica e tyre janë kaotike dhe të paligjshme, por do të bisedojmë sepse kemi 700 punëtorë atje - tha zoti Bedineishvili. - Le të bëjmë një takim të qetë në Tiranë, sepse në Bulqizë tani nuk është qetë… ACR dhe minatorët, ndoshta edhe kryetari i bashkisë së Bulqizës, sepse ai është drejtuesi i një qyteti ku shumë banorë punojnë në minierë. Minatorët e besojnë bashkiakun e tyre dhe aim und të luajë një rol konstruktiv”.

“Ne duam të flasim me 4 - 5 punëtorë të vërtetë të Bulqizës dhe jo me të jashtëm, 4 - 5 zyrtarë të kompanisë ACR dhe kryetari i Bulqizës. Njerëzit e jashtëm e vështirësojnë takimin me parakushte si vendi i takimit dhe pjesëmarrja e disa njerëzve aty. Por si mund të bisedojmë ne me njerëz që kanë ushtruar dhunë ndaj zyrtarëve dhe zyrave të kompanisë?! Le të heqin këta të gjashtë dhe të vijnë të flasim për 694 punëtorët e tjerë. Këkesat kryesore ne i kemi pranuar. Mbeten disa të tjera që duhen negociuar” - tha drejtori ekzekutiv - ACR-së. Ai tha se janë bërë tashmë 17 ditë protesta, dhe se ishte shumë i shqetësuar për këtë. Zoti Bedineishvili theksoi se ACR dëshiron që kjo situatë të mbarojë, të diskutojhet çdo kërkesë dhe të mbyllet greva. “17 ditë nën tokë nuk janë mirë për asnjeri” - përfundoi ai.

Ndërsa kryetari i konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolli, tha se grevistet refuzuan kërkesën për një takim në Tiranë nga kompania ACR, sepse nuk ishte institucionale, por vetëm një njoftim në media. Së dyti, sipas tij, greva zhvillohet në Bulqizë dhe komisioni i grevës nuk mund të zhvendoset në Tiranë. Së treti, ftesa u refuzua sepse ACR kërkoi të përcaktojë si negociatorë disa punëtorë të tjerë dhe jo përfaqësues të grevës.

Përfaqësues të qarqeve të biznesit dhe analistë të pavarur të ekonomisë shprehën po sot shqetësimin e tyre për grevën e urisë. Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se greva është dëshmi fatkeqe e mënyrës se si është qeverisur ky sektor gjatë 20 vjetëve.

“Kompania koncensionare nuk ka investuar për të ndryshuar teknologjinë dhe kushtet e punës së punëtorëve. Nga ana tjetër ka një mbikëqyrje shumë të dobët për procesin e punës dhe pagat e minatorëve. Po ashtu shihet edhe një instrumentalizim politik që i bëhet kësaj forme ekstreme të protestës” - tha ai.

Zoti Preçi propozoi ngritjen e një komiteti tripalësh mes qeverisë, punëtorëve dhe kompanisë që të respektojë kontratën e punës. Ai thotë se greva është një metodë e vjetër që nuk zgjidh probleme, por është kontrata kolektive e punës.

Ndërsa drejtuesi i Qendrës “Biznes Albania”, Luan Bregasi, thotë se qeveria dhe punëdhënësit kanë përgjegjësi për jetën dhe pagesat e punëtorëve që marrin në punë.

“Shqetësimi i punëtorëve është i drejtë dhe kërkesat e tyre janë krejt të realizueshme. Ata nuk kanë kërkesa luksi dhe meritojnë më shumë për lodhjen dhe punën e tyre” - tha zoti Bregasi.

Ai theksoi se shteti kur i jep koncensione kompanive të huaja nuk duhet ta shohë këtë si një shkëputje përfundimtare nga detyrat dhe përgjegjësitë, por duhet të monitorojë vazhdimisht përmbushjen e kontratave.

XS
SM
MD
LG