Lidhje

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit i BE Stefano Sanino viziton Tiranën

  • Armand Mero

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit i BE Stefano Sanino viziton Tiranën

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit i BE Stefano Sanino viziton Tiranën

Në Tiranë Partia Socialiste në opozitë, dorëzoi në parlament një propozim që lidhet me miratimin e ligjeve me tre të pestat, pjesë e reformave të kërkuara nga Brukseli. Socialistët propozojnë një kalendar sipas të cilit të gjithë këto ligje të mund të miratohen brenda muajit prill. Dokumenti i socialistëve u dorëzua pak orë përpara se në Tiranë të mbërrinte Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Stefano Sannino i cili do të përpiqet për t'i dhënë shtysë arritjes së një marrëveshjeje mes shumicës dhe opozitës për reformat që do të përshpejtonin procesin e integrimit europian.

Në gjysmën e dytë të tetorit drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin europian Stefano Sannino erdhi në Shqipëri kur vendit i ishte mohuar për të dytin vit radhazi statusi i kandidatit për anëtarësim në Be. Synimi i asaj vizite ishte afrimi i palëve për të gjetur një emërues të përbashkët që të mundësonte nisjen e punës për disa nga cështjet kyce.Vizita dhe takimet e tij u përcollën në mënyrën protokollare përmes njoftimeve të shtypit, por në prapaskenë gjërat nisën të lëvizin dhe në fakt, ndonëse publikisht ende nuk thuhet, shumica dhe opozita kanë gjetur pikat e takimit për të ngritur komisionet për reformën zgjedhore dhe rregulloren e parlamentit. Palët megjithatë nuk po gjejne një zgjidhje për mënyrën se si duhet të veprohet për ligjet me tre të pestat, nje ceshtje e cila filloi të përmendej sërish gjithnjë e më shpesh ditet e fundi. Ndërsa shkëmbimi i akuzave mes palëve për këto ligje vazhdonte, shumica vendosi në fund të muajit që t’i rikthente ato për rishqyrtim në komisione në fund të muajit tetor. Në fillim të kësaj jave kryetari socialist Edi Rama njoftoi dërgimin në parlament të kalendarit për miratimin e tyre. Gjë e cila u finalizua sot, kur nënkryetari socialist i komisionit të ligjeve Fatmir Xhafaj,dorëzoi propozimin.

Socialistët kane paraqitur një kalendar për miratimin e ligjeve me tre të pestat në tre faza, qe shtrihet deri në muajin prill. Në letrën dërguar kryetarit të komisionit të ligjeve Ilir Rusmali, zoti Xhafaj propozon ngritjen e një komisioni ad hoc për shqyrtimin e tyre, ku në përbërje të tij të thirren ekspertë vendas dhe të huaj. Socialistët shprehen se disa prej ligjeve kanë probleme, pasi sipas zotit Xhafaj “nuk janë të harmonizuara me kuadrin kushtetues, madje kërkojnë edhe ndryshim të disa normave kushtetuese apo nuk reflektojnë vërejtjet e ekspertëve ndërkombëtarë”.

Tani pritet të mësohet se cili do të jetë reagimi i demokratëve të cilët këmbëngulin për afate më të shpejta të miratimit të ligjeve. Megjithate në propzimin e tyre socialistët e kanë lënë të hapur mundësinë e bisedimeve edhe për kalendarin. Ky është për momentin dhe ngërci i ri mes palëve. Një cështje që duket se do të jetë edhe problemi me të cilin do të duhet të përballet drejtori i zgjerimit Sannino. Takimin e tij të parë ai e zhvilloi me presidentin Bamir Topi sipas të cilit klasa politike shqiptare i ka tashmë të qarta mesazhet e Brukselit e do të dijë të reflektojë.

Pasdite ai u takua me kryetarin socialist Edi Rama ndërsa nesër pritet të bisedojë me kryeministrin Sali Berisha.

Nëse mes palëve arrihet një marrëveshje e shpejtë atëherë ka shumë gjasa që Brukseli t’a vlerësojë si një sinjal kthese pozitive e në dhjetor këshili i ministrave të Bashkimit europian t’i kërkojë komisionit që të përgatisë një opinion të ri për Shqipërinë brenda muajit mars lidhur me statusin e vendit kandidat, pa pritur vjeshtën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG