Lidhje

Kosovë: Fitore e PDK-së në Drenas


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet paraprake të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Drenasit. Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Ramiz Lladrovci, ka fituar rreth 62 për qind të votave ndaj 38 për qind të kandidatit të Nismës për Kosovën, Isa Xhemajli.

Zyrtarët e Komisionit bënë të ditur se në rezultatet paraprake nuk hyjnë votat me kusht, pas numërimit të të cilave, pritet të jepen rezultatet përfundimtare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Drenasit nuk ka pasur parregullsi që do të mund të ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm.

Partia Demokratike e Kosovës është përballur në balotazh me Nismën për Kosovën, e cila u themelua në fillim të vitit 2014 pas ndarjes nga kjo parti të disa prej ish udhëheqësve të saj.

Këto ishin zgjedhjet e para pas ndryshimeve në kreun e Partisë Demokratike pas zgjedhjes se Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës.

Komuna e Drenasit mbeti pa kryetar të saj pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Nexhat Demaku, i cili dha dorëheqje nga posti pas dënimit me tre vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte.

Vëzhguesit në Kosovë thonë se rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Drenas është matës i forcave politike në Kosovë, para zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, por edhe një sprovë për zgjedhjet e përgjithshme që sipas kalendarit duhet të mbahen më 2018, por që nuk përjashtohet mundësia të mbahen shumë më herët.

XS
SM
MD
LG