Lidhje

Historia e trazuar e anti-islamizimit në Dresden


Muajt e fundit, dhjetëra mijëra gjermanë kanë mbajtur demonstrata në qytetin lindor të Dresdenit për të protestuar kundër asaj që ata e shohin si "islamizim" të Perëndimit. Por njerëzit kanë paraqitur një sërë ankesash të tjera, gjë që u pa qartë në demonstratën e së hënës, më e madhja deri tani, ku morën pjesë 25.000 njerëz. Siç njofton korrespondenti ynë Henry Ridgwell nga Dresdeni, Lufta e Dytë Botërore dhe historia komuniste e këtij qyteti, luajë një rol të caktuar në tensionet e ditëve tona.

Qendra e Dresdenit është një monument mahnitës kushtuar ribashkimit të Gjermanisë dhe rindërtimit që erdhi më pas. Por gjatë disa muajve të fundit, qyteti është bërë një fushë beteje politike. Lëvizja e quajtur "PEGIDA" (evropianët patriotë kundër islamizimit të Perëndimit), ka lulëzuar për shkak të një boshllëku politik, thotë profesor Werner J. Patzelt i Universitetit të Dresdenit.

"Ka një konsensus në shoqërinë gjermane që kurrë të mos lejohet kthimi i fashizmit në Gjermani. Ne kemi një lloj hendeku përfaqësimi në anën e djathtë të spektrit politik. Dhe pikërisht në këtë boshllëk janë futur lëvizja PEGIDA dhe partitë si Alternativa për Gjermaninë."

Alternativa për Gjermaninë fitoi rreth 10 përqind në zgjedhjet e landit të Saksonisë. Marshimeve u janë bashkuar edhe zyrtarë të kësaj partie. Kreu lokal i partisë Bernd Lommel thotë se origjina e PEGIDA-s shpjegohet pjesërisht me vetë historinë e Dresdenit.

"Ka njerëz që mendojnë se nuk përfituan nga bashkimi. Jo të gjithë dolën të fituar. Ka edhe njerëz që kanë humbur dhe që ndihen të pasigurt për të ardhmen."

Megjithatë, Dresdeni nuk përfaqëson një qytet tipik në vështirësi të Gjermanisë lindore që i është kthyer kthyer politikës ekstreme."

Ekonomikisht, qyteti është relativisht i begatë. Prandaj disa analistë mendojnë se polarizimi politik këtu i ka rrënjët në Luftën e Dytë Botërore.

Në shkurt 1945, bombardimet amerikane dhe britanike e shkatërruan Dresdenin dhe vranë 25.000 njerëz. Ky përvjetor ende shënohet çdo vit me marshime nëpër qendrën e rindërtuar të Dresdenit. Ato ngjarje historike kanë formuar botëkuptimin e shumë prej mbështetësve të PEGIDA-s, thotë Profesor Patzelt.

"Argumenti është në thelb ky: Dresdeni u shkatërrua nga bombarduesit amerikanë dhe anglezë. Amerikanët kurrë nuk i kanë ndalur bombardimet në botë. Tani ata bombardojnë në Lindjen e Mesme. Ata shkatërrojnë shtete atje. Prandaj kemi kaq shumë refugjatë."

Zoti Patzelt thotë se flamujt rusë që janë parë në marshimet e PEGIDA-s pasqyrojnë dëshirën e disave për një kundërpeshë ndaj fuqisë amerikane. Ankesa të tilla nuk duhen parë me mospërfillje, thotë politikani Jan Donhauser i kristian demokratëve, partia e kancelares Angela Merkel.

"PEGIDA nuk ka të bëjë thjesht me politikat e azilit. Ka shumë gjëra të tjera që i bëjnë njerëzit të pakënaqur, që i tërheqin në lëvizje si kjo. Megjithëse nuk jam dakord me ta, sepse ne në Lindje kurrë nuk kemi qenë më mirë, por si politikan që jam, më duhet t'i marr seriozisht këto gjëra."

Dje, Kancelarja Merkel mori pjesë në Berlin në një miting pro-unitetit, të organizuar nga grupe myslimane. Ajo i ka dënuar me forcë protestat e PEGIDA-s, duke i akuzuar ata se kanë "urrejtje në zemrat e tyre."

Ky është një qëndrim i gabuar, thotë Profesor Patzelt.

"Duke thënë, 'le t'i heqim qafe të gjitha këto lëvizje, le t'i shtypim këto ndjenja dhe mendime, ' në fakt ne i nxisim më shumë ato."

Patzelt parashikon se lëvizja PEGIDA përfundimisht do të shndërrohet në një grup politik të tillë si "Alternativa për Gjermaninë". Tani për tani, marshuesit këmbëngulin se do të protestojnë përsëri të hënën e ardhshme - dhe çdo javë pas kësaj - derisa zëri i tyre të dëgjohet.

XS
SM
MD
LG