Lidhje

Gjermani, protestë kundër islamizimit të Evropës


Rreth 25 mijë vetë morën pjesë në një marshim të hënën në Dresden të Gjermanisë, të organizuar kundër asaj që pjesëmarrësit e cilësojnë si islamizim i Perëndimit. Të ashtu-quajturat protestat Pegida zhvillohen pas sulmeve vdekjeprurëse të javës së kaluar në Paris dhe solidaritetit që u shpalos në të gjithë Francën të dielën. Qeveria gjermane i ka kritikuar protestat Pegida. Korrespondenti Henry Ridgewell ka dërguar këtë kronikë nga Dresdeni:

Pa përfillur thirrjet e qeverisë gjermane, një turmë e madhe doli të hënën në demonstratat Pegida. Mijëra vetë u mblodhën në Dresden, duke kujtuar incidentet në Paris si justifikim për kauzën e tyre.

Shumë pjesëmarrës kishin flamuj francezë apo tabela me fjalët Je Suis Charlie, në një gjest të shpalosur gjerësisht në tubimet e unitetit të zhvilluara në Francë.

“Kam dalë sonte pasi solidarizohem me francezët dhe më vjen keq për ato që ndodhën në Francë. Kam frikë se e njëjta gjë do të ndodhë edhe këtu”.

Protestat me thirrjet kundër islamizimit filluan në tetor me tubime prej disa qindra vetësh. Por tani mijëra vetë mbushin qendrën e Dresdenit thuajse çdo të hënë. Grumbullimet të kujtojnë pamje nga protestat para rënies së komunizmit në Gjermaninë Lindore në 1989.

Hans-Holger Malcomess është me partinë Alternativa për Gjermaninë:

“Këto marshime që zhvillojmë ditët e hëna nxisin diskutime politike mbi tema që janë lënë pas dore”.

Flamujt dhe simbolet e fesë së krishterë tregojnë se një numër kauzash përfaqësohen në marshimet Pegida. Në disa parulla shkruhet “Jo Luftë kundër Rusisë”. Megjithëse organizatorët thonë se grupi nuk ka lidhje me ekstremin e djathtë, Zëri i Amerikës foli me një numër pjesëmarrësish që shprehën pikëpamje neo-naziste:

“Vetëm ata që dalin me ngjyrat e vërteta të Rajhut të Tretë, siç kam dalë unë sonte, pra me të zezë, të bardhë dhe të kuqe, janë për një Gjermani të çliruar nga shtypja”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel është portretizuar në demonstrata me shami koke të veshjes myslimane. Ajo i ka akuzuar demontruesit se po mbjellin urrejtje.

Në përgjigje të marshimeve Pegida janë zhvilluar demontrata me thirrjet kundër urrejtjes dhe përçarjes:

“Kam dalë sonte për të demonstruar kundër ksenofobisë dhe ideve që nuk mund t’i mbështes, pasi nuk ekziston asnjë kërcënim nga feja islame”.

Në përfundim të marshimit, organizatorët deklarojnë se lëvizja Pegida po përhapet në të gjithë Evropën:

“Përshëndesim lëvizjen Pegida në Francë, në Austri, Zvicër”.

Megjithë pjesëmarrjen e lartë në marshimin Pegida të hënën, një numër edhe më i madh protestuesish kanë dalë kundër mesazhit të tyre. Por me shtimin e radhëve të demonstruesve në të dyja anët e debatit, herët a vonë udhëheqësit gjermanë do të duhet të ballafaqohen me këtë temë.

XS
SM
MD
LG