Lidhje

Drejtësia, Meta: të nisë dialogu politik

  • Armand Mero

Kreu i LSI-së në mbledhjen e kryesisë: Logjika e faktit të kryer për çështje shumë të mëdha që shqetësojnë qytetarët është e papranueshme

Në Shqipëri kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta tha sot se për reformën në Drejtësi ka ardhur koha që të celet dialogu politik parlamentar për të cuar përpara procesin. Komentet e tij për reformën, zoti Meta i bëri gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë së tij, ndërsa përsëriti disa herë nevojën e domosdoshme të një konsensusi politik. Nga ana e saj partia demokratike përsëriti akuzat sipas të cilave ndryshimet kushtetuese cojnë në kapjen politike të sistemit.

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, njëkohësisht dhe kryetar i parlamentit, ja kushtoi sot tërësisht reformës në Drejtësi, fjalën e tij në mbledhjen e forumit drejtues të partisë së vet. Ai i mëshoi me forcë nevojës së një procesi që të jetë gjithpërfshirës dhe konsensual. Sipas tij “tani që ekspertët kanë dhënë kontributin e tyre, si edhe me shtratin e shtruar nga raporti i ndërmjetëm i Komisionit të Venecias, është koha e çeljes së dialogut politik parlamentar për të çuar përpara dhe për të konsoliduar procesin e reformës, me qëllim arritjen në një dokument përfundimtarë të gjithë pranuar dhe certifikuar nga partnerët ndërkombëtare, dhe në veçanti nga Komisioni i Venecias”

Një ditë më parë, në një intervistë në emisionin Studio e hapur, në News 24, kryeministri Edi Rama, duke folur për reformën në drejtësi, ishte shprehur kundër angazhimit të aktorëve politik në këtë fazë të procesit, duke mbështetur idenë se vullneti politik i palëve do të duhej të shprehej pasi Komisioni i Venecias të sillte qëndrimin e tij përfundimtar mbi ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, ky dokument, do të shërbente si një bazë mjaft e mirë për konsensus mes palëve.

Duket se dy drejtuesit e shumicës dallojnë me njëri tjetrin për hapat që duhet të pasojnë procesin. Zoti Meta është i idesë se të gjitha palët, përfshirë dhe ekspertët vendas e ndërkombëtar, apo dhe vetë shoqërinë civile, duhet të punojnë që tani në mënyrë që sic tha ai “të shterojmë çdo hendek që na ndan për të arritur konsensusin, për t’i dhënë besueshmërinë, dhe legjitimitetin e duhur kësaj reforme, në mënyrë që ajo të jetë një reformë e besueshme, një reformë e suksesshme, një reformë që të gëzojë mbështetjen e publikut të gjerë”. Sipas zotit Meta “logjika e faktit të kryer për çështje shumë të mëdha që shqetësojnë qytetarët është e papranueshme dhe vetëm qëndrimi parimor do të na udhëheqë në të gjithë vendimmarrjen tonë politike. Vendi është përballur edhe më parë me vendime të nxituara dhe jo transparente që kanë prodhuar efekte negative kohëgjata, siç ishin edhe ndryshimet kushtetuese të prillit të vitit 2008, pasojat e të cilave vazhdojnë të na shoqërojnë edhe sot dhe që kanë rënduar jo pakë në përkeqësimin e situatës aktuale në sistemin e drejtësisë në vend”.

Zoti Meta nënvizoi se procesi nuk duhet të jetë përjashtues apo diversiv, por të jetë gjithëpërfshirës e shterues, ndërsa i bëri sërish thirrje opozitës që të bëhet pjesë. Por përfaqësuesit e së djathtës edhe një herë tjetër sot akuzuan shumicën se nuk ka marrë parasysh rekomandimet e Venecias. “Kur ekspertët janë ulur për të diskutuar mbi draftin e Venecias, çështjet që ekspertët e PS ndaheshin dhe ata të PD ishin të paktën 11 dhe ngelen po kaq nga çështjen e rekomandimeve të Venecias. Kryesore mbi të gjitha është kapja politike. Kush do t’i emërojë ata që do të kontrollojnë, promovojnë, shkarkojnë gjyqtarët dhe prokurorët?! Kush do të jetë në krye të procesit të reformimit të drejtësisë?! Kjo ka qënë pika e debatit”, deklaroi sot deputeti demokrat Eduard Halimi.

Ekspertët e Partisë demokratike nënvizuan se problem nuk është sipas tyre vetëm cështja e emërimeve me tre të pestat e parlamentit, por dhe mjaft pika të tjera, që sic thanë, janë ngritur me shqetësim dhe nga Komisioni i Venecias.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG