Lidhje

Tiranë: Rritja ekonomike ende e paqëndrueshme, flasin analistët


Ekspertët e ekonomisë i shohin me skepticizëm të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave se ekonomia shqiptare shënoi rritje 2,5 përqind në tremujorin e dytë të vitit.

Po sipas INSTAT, konsumi i popullatës ka rënë me 3.1 përqind.

Sipas studiuesve, kjo rritje numrash prej ndërtimeve në vepra publike nuk do të thotë se shqiptarët po jetojnë më mirë, sepse konsumi i tyre ka rënë më tej dhe nuk janë rritur bujqësia, turizmi dhe prodhimi vendas në tërësi.

Skepticizëm ndaj të dhënave të INSTAT për ekonominë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:39 0:00

Profesor Arben Malaj në Universitetin e Tiranës thotë se rritja ekonomike duhet të jetë më e madhe, më e qëndrueshme dhe më e sigurtë. Rritja e deritanishme është e pamjaftueshme, sepse presioni do të jetë më i madh vitin tjetër kur duhet të mbulohet me 5 për qind deficiti buxhetor.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dritan Shano, aktualisht koordinator kombëtar pranë Partisë Demokratike të opozitës thotë se kjo rritje e vogël disamujore tregon më së miri se ekonomia është prej kohësh në stanjacion, madje edhe recesioni është pranë kur konsumi ulet vazhdimisht kundrejt prodhimit jodomethënës.

Sipas të dhënave nga INSTAT, sektori që solli rritjen më të madhe ka qenë ndërtimi, por për ekspertët ky është një paradoks, sepse ndërtimet po frenohen me rregullat e reja.

Industria, Energjia dhe Uji ndikuan në rritje, ndërsa sektorët e tjerë jetikë janë rritur fare pak ose aspak.

Problemi është se, përtej përmirësimit të shifrave në letër, ekonomitë familjare nuk po ndjejnë ndonjë përmirësim dhe shumica e të papunëve, të kualifikuar ose jo, po emigrojnë në vende të tjera.

Bashkë me krahun e punës po largohen edhe njerëzit e ditur, thotë zoti Malaj.

Studiuesit pohojnë se ekonomia shqiptare ka nevojë për politika lehtësuese ndaj bizneseve private, që ato të punësojnë njerëzit.

Nuk është detyrë e qeverisë të punësojë qytetarët, pohojnë ata, por qeveria duhet të ndihmojë firmat private me masa të favorshme që ato të shtojnë investimet, prodhimin dhe punësimin e njerëzve.

Sipas zotit Shano, deri tani qeveria nuk e ka bërë këtë, por përkundrazi ka rritur taksat dhe ka krijuar një klimë mbytëse për bizneset.

Ekonomia shqiptare nuk arrin të ngrihet më shumë se 3 për qind në dy vitet e fundit, megjithë reformat strukturore dhe mbështetjen e FMN dhe Bankës Botërore.

Buxheti dhe rritja ekonomike u rishikuan përsëri me ulje nga parlamenti disa ditë më parë.

Një mision i FMN pritet të mbërrijë këto ditë në kryeqytetin shqiptar për të rishikuar gjendjen ndërsa fundi i vitit për të bërë bilancet është shumë pranë dhe ekonomia ka hyrë tashmmë në 3 mujorin e katërt.


XS
SM
MD
LG