Lidhje

Trafiku i drogës, avion në Divjakë


Policia ndalon pilotin italian pas uljes në afërsi të plazhit. Sekuestrohen në zonë afër 460 kilogram marijuanë. Ndalohet dhe një shtetas shqiptar

Në Shqipëri policia ndaloi sot një avion privat të drejtuar nga një shtetas Italian I cili ishte ulur në një zonë pranë Divjakës. Shtetasi Italian dyshohet të ketë bërë uljen në këtë zonë për t’u ngarkuar me drogë. Pranë zonës janë gjetur disa canta me marijuanë, ndërsa në dalje nga parku i Divjakës policia ka bllokuar dhe një makinë në të cilën po ashtu është gjetur një sasi marijuane. Në total bëhet fjalë për afër 460 kilogram drogë.

Në kulmin e debatit për trafiqet e drogës në Shqipëri, dyshimeve të hedhura dhe nga Shërbimi sekret dhe akuzave të opozitës se droga po trafikohej edhe nga ajri, sot policia ka ndaluar një avion privat në zonën e Divjakës. Avioni është ulur në një zonë pranë plazhit dhe ka pësuar dëmtime. Policia e cila ka vajtur menjëherë në vendngjarje, ka ndaluar pilotin e avionit, një shtetas italian 68 vjecar, Giorgio Riformato.

Sipas ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri “shtetasi italian ka deklaruar se është detyruar të ulet për shkak të një difekti teknik, gjë që pritet të verifikohet nga hetimi”, shpjegoi ministri. Policia e cila ka rrethuar menjëherë zonën, ka mundur të bllokojë më pas, një mjet të ngarkuar me marijuanë. Drejtuesi i mjetit i cili është larguar, është arrestuar pak orë më vonë. Ministri Brendshëm tha se ai është një shtetas shqiptar, Sami Bajrami, 35 vjec, i cili jeton në Itali, dhe se ka hyrë në Shqipëri 2 ditë më parë. Një tjetër sasi droge është gjetur po në të njejtën zonë. Sic njoftoi ministri Tahiri, në total bëhet fjalë për afër 460 kilogram marijuanë..

Prej javësh në Shqipëri zien debati politik për rritjen e trafikut të drogës. Ishte opozita e cila ngriti e para dyshimet. Fillimisht u fol se ishte përdorur pista e ish bazës ajrore ushtarake të Gjadrit. Ministria e Mbrojtjes e mohoi, e më pas edhe shërbimet sekrete deklaruan se nuk kishin prova për një trafik nga kjo bazë. Por në një letër të shërbimeve sekrete drejtuar ministrisë së Mbrojtjes flitej për dyshime mbi avionë që ishin ulur në zonën e Divjakës dhe në atë të Tepelenës. Edhe opozita i mëshoi disa herë këtij fakti.

Shtetasi italian i ndaluar sot, sipas burimeve, ka qenë i akuzuar në Itali vetëm për mashtrim dhe nuk ka patur precedentë lidhur me trafiqe të mundshme droge. Ai kishte hyrë në hapësirën ajrore shqiptare me leje të rregull. Në orën 13.36, sic shpjegoi ministri i Brendshëm, avioni i tij është ngritur nga aeroporti i Rinasit me destinacion Italinë. Ministri tha se nga verifikimet, rezulton se është hera e parë që ky avion kihte hyrë në Shqipëri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG