Lidhje

Shkatërrohet një rrjet i trafikut të drogës


Operacion i përbashkët policor Shqipëri-Itali; marjuana nga Lazarati. Përfundojnë në pranga 10 shqiptarë, mes tyre dhe kreu i organizatës Robert Haruni i arrestuar në Vlorë

Në Shqipëri dhe Itali, falë një operacioni të përbashkët policor u arrestuan sot dhjetë shqiptarë, të gjithë anëtarë të një rrjeti të trafikut të drogës mes dy vendeve, kryesisht marjuanës me origjinë nga Lazarati. Kreu i këtij rrjeti ishte Robert Haruni i cili u kap në qytetin e Vlorës së bashku me dy të tjerë. Shtatë anëtarë të tjerë të organizatës u arrestuan në zonën e Venecias në Itali. Sipas policisë shqiptare, ky rrjet i trafikut të drogës ishte ndër më të fuqishmit në rajon

Që prej orës katër të mëngjesit të sotëm, paralelisht në Shqipëri dhe në Itali, forcat policore të të dy vendeve u angazhuan në operacionin me emrin “Underground”. Pas hetimesh që kishin nisur që në fundvitin 2011, ishte bërë i mundur zbulimi i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës mes dy vendeve. Shtatë anëtarë të organizatës, të gjithë shqiptarë, u kapën nga policia italiane, ndërsa në Shqipëri u arrestuan tre të tjere mes të cilëve edhe kreu i saj 35 vjecar.



“Në qëndër të kësaj organizate ishin shtetas shqiptarë dhe drejtuesi i saj ishte shtetasi Robert Haruni i arrestuar nga Policia e Vlorës.Në bazë të hetimeve të kryera dhe të dokumentuara në ngarkim të anëtarëve të kësaj organizate kriminale, ka rezultuar se kjo organizatë është përgjegjëse për trafikimin e më shumë se 1 ton lëndë narkotike e llojit marjuanë, dhe një sasie heroine dhe kokaine, e cila sipas konkludimeve edhe të autoriteteve Italiane kap vlerën e 7 milion eurove”, shpjegoi drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku.

Sipas policisë italiane, gjatë vitit të kaluar, në periudhat prill-qershor, kësaj organizate i janë sekuestruar edhe sasira të tjera të mëdha që shkojnë afër në një tjetër tonë marijuanë. Policia shqiptare bëri të ditur se organizata furnizohej me marjuanë të kultivuar në Lazarat. “Kjo ka qenë një ndër organizatat më të fuqishme në narkotrafikut në rajon dhe në Itali. Lënda narkotike pasi sigurohej në Shqipëri (Lazarat), trafikohej drejt Italisë duke përdorur rrugë dhe metoda të ndryshme të sofistikuara kryesisht e fshehur në automjete (kamiona) në pronësi të të arrestuarve apo të shoqërive të ndryshme të transportit”, deklaroi drejtori i Policisë së Vlorës.

Sipas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria vazhdon të konsiderohet si një vend tranziti dhe destinacion për kanabisin, heroinën dhe kokainën si dhe burim për kanabisin që shkon në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Autoritetet ndërkohë janë shprehur se gjatë vitit 2012 ata kanë rritur ndjeshëm sasitë e drogës së kapur dhe sekuestruar dhe se sipërfaqet e mbjella me marijuanë janë përgjysmuar. Por sipas raporti të përvitshëm të Departamentit amerikan të Shtetit, rritja e ndjeshme e konfiskimit të lëndëve narkotike flet edhe për një shtim të prodhimit të marjuanës brenda vendit në krahasim me vitet e mëparshme.
XS
SM
MD
LG