Lidhje

Thatësira në SHBA

  • Steve Baragona

Pjesa jugperëndimore e Shteteve të Bashkuara është duke përjetuar thatësirën më të ashpër të 15 viteve të fundit. Është duke rrezikuar furnizimin me ujë për 40 milionë njerëz dhe për më tepër se 2 milionë hektarë toke bujqësore. Një ndër pionerët e kursimit të ujit në rajon është një qytet që nuk e pret. Qyteti Las Vegas njihet përgjithësisht për teprimin. Por, siç njofton korrespondenti ynë Steve Baragona i Zërit të Amerikës, qyteti ka shkurtuar shpenzimin e ujit me 1/3-tën, pa braktisur ndërkohë mënyrat pompoze të jetesës.Las Vegasi, në shtetin e Nevadës, është një qytet të cilit nuk i pëlqen t’i bëjë gjërat shkel e shko. Megjithatë, nuk janë shatërvanet e famshme të rripit të Las Vegasit ato që harxhojnë më shumë ujë.

Janë realisht lëndinat e rrethinave.

Bari thith më shumë ujë se gjithçka tjetër, rreth 30 herë më shumë se sa mbledh qyteti nga reshjet në një vit.

Lulishtari Mat Baroudi thotë se bari nuk përdoret nga askush, ndërkohë që një lëndinë nuk harxhon vetëm ujin kot, por është edhe zënie e kotë e hapësirës.

“Nuk shikon fëmijë që luajnë në bar. Nuk shikon njerëz me një batanije dhe një kosh pikniku, si në vitin 1955. Ekziston aty vetëm për të konsumuar gjithë këtë sasi uji.”

Ndërkohë që qyteti pati një periudhë të jashtëzakonshme rritjeje në vitet ’90-të, projektuesit i mbuluan rrethinat me bar sepse ishte një mënyrë e shpejtë, e lehtë dhe e lirë, thotë menaxheri për ruajtjen e mjedisit Doug Bennet, nga Autoriteti Ujor i Nevadës Jugore.

“E gjithë kjo zonë ishte në zhvillim, dhe njerëzit merrnin vendime financiare për barin që realisht ka kërkesa afatgjatë për ujë, të cilat nuk u morën në konsideratë. Na u desh të ndryshonim gjithçka.”

Kështu që në fillim të viteve 2000-jë, u ndaluan lëndinat para shtëpive në projektimet e reja. Për shtëpitë ekzistuese, autoriteti ujor filloi të paguante pronarët që të zëvendësonin lëndinat e tyre me diçka më të përshtatshme për shkretëtirën.

Zoti Baroudi dhe firma e tij “Lulishtari Anglez”, janë duke e transformuar kopshtin prapa shtëpisë të zonjës Dasya Duckworth nga një hapësirë bari në një vend loje për të birin dhe në një hapësirë të jashtme të shtëpisë.

Subvencionimi nga bashkia do të mbulojë rreth 10% të kostos, por ajo thotë se paratë nuk janë gjithçka.

“Edhe nëse mendon se ke një ndjeshmëri mjedisore, kur ke fëmijë mendoj se koncepti të përmirësohet edhe më tej. Krejt papritur kuptova se jetojmë në shkretëtirë, dhe unë kam ndërkohë një livadh të blertë. Ka diçka të gabuar në këtë pamje.”

E gërshetuar me masa të tjera agresive për kursimin e ujit, përfshirë ripërdorimin e ujit nga të gjitha proçeset, që nga lavazhet e makinave e deri tek tualetet, qyteti ka ruajtuar mundësinë të vazhdojë rritjen e tij të shpejtë, thotë Doug Bennet.

“Kemi pothuajse gjysëm milioni njerëz më shumë këtu se sa në vitin 2002, dhe ne po përdorim realisht më pak ujë se sa përdornim 15 vjet më parë.”

Por, Las Vegasi ka ende shumë lëndina që shpërdorojnë shumë ujë. Qyteti vazhdon të shpenzojë më shumë ujë për person krahasuar me qytetet fqinje të shkretëtirës. Ndërkohë që thatësira do të shtohet, këtë ujë qyteti nuk mundet ta humbasë.

XS
SM
MD
LG