Lidhje

Zhvillimi i Dubait në një rajon të trazuar


Në Dubai duket se po rikthehet zhvillimi ekonomik. Dy vjet e gjysëm pas një krize të madhe borxhesh, qyteti duket se po zhvillohet përsëri, ndërsa investitorët dhe turistët e shikojnë Dubain si strehë të sigurtë në një rajon plot paqëndrueshmëri. Phillip Walter Wellman njofton për Zërin e Amerikës nga Dubai.

I njohur për ishujt me palma të krijuara nga dora e njeriut dhe me ndërtesën më të lartë në botë, Dubai ishte ndoshta një prej qyteteve më të dukshëm që u ndikua nga recesioni global i viteve 2008-2009. Jo vetëm që ai përjetoi eksodin më të madh të punëtorëve emigrantë, por një numër projektesh të mëdha ndërtimi u pezulluan, duke bërë që zona të mbulohet me ndërtime të papërfunduara. Sot, puna në shumë prej këtyre stukturave ka rifilluar dhe zhurmat e ndërtimit dëgjohen kudo.

Një prej zhvillimeve më të fundit po ndodh në qytetin Mohamed bin Rashid, që e merr emrin nga sunduesi i Dubait, i cili kur të jetë përfunduar do të ketë deri në 100 hotele, 5 parqe argëtimi dhe qendrën më të madhe të dyqaneve në botë, edhe më i madh se sa qendra e tanishme tregtare e Dubait, po më e madhja në botë.

Zyrtarët njoftuan krijimin e një zone tjetër, që do të shërbejë si qendër për luksin global, modën dhe prodhimet e njohura. Gjithashtu, qyteti shtoi këto ditë në listën e vet të stukturave më të larta, hapjen e kullës më të lartë të përdredhur të botës.

Ndërsa udhëheqësit e Dubait thonë se kurrë nuk e kanë vënë në pikëpyetje rilindjen e qendrave të tilla, një prej shtatë qendrave të mëdha që përbëjnë Emiratet e Bashkuara Arabe, ekspertët thonë se rigjallërimi i shpejtë nuk do të kishte qënë i mundur pa trazirat dhe gjakderdhjen në vendet fqinje.

Giyas Gokent është kryeekonomist dhe kreu i operacioneve kërkimore në Bankën Kombëtare të Abu Dabit.

"Aktiviteti ekonomik është shtuar ndjeshëm dhe duket qartë se kjo i atribuohet statusit të Emirateve të Bashkuara Arabe si një qendër e sigurtë. Në një periudhë trazirash në pjesën tjetër të rajonit, Dubai po kthehet në një magnet për njerëzit dhe kapitalin dhe të dhënat e mbështesin këtë".

Statistikat e fundit tregojnë se ekonomia e Dubait u rrit me 4.4 për qind vitin e kaluar, niveli më i mirë që prej vitit 2009.

Çmimet e pasurisë së patundshme pasqyrojnë optimizmin aktual; ato janë rritur vazhdimisht që prej rënies me 50 për qind pas krizës financiare.

Ndërsa analistët janë të një mendimi se Dubai ka përfituar nga trazirat në vendet e tjera të botës arabe, Stephane Garelli, drejtoreshë e Qendrës IMD për Konkurencën në Botë me seli në Zvicër, thotë se autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe duhet t’u njihet merita se i kanë trajtuar çështjet e brendshme në një mënyrë që kënaqin dhe qetësojnë investitorët.

"Herë herë krizat janë pozitive sepse ato vënë në provë dinamikën e modeleve, aftësinë e qeverive për të reaguar shpejt ndaj zhvillimeve të caktuara. Mendoj se pikërisht kjo ndodhi në Emiratet e Bashkuara Arabe. Krahasuar me gjendjen e 2-3 vjetëve të fundit, masat e marra nga qeveria janë pritur shumë mirë nga tregu".

Por numri i madh i projekteve të propozuara nga qeveria në Dubai ka bërë që disa njerëz të vënë në pikëpyetje nëse udhëheqësit kanë mësuar nga gabimet e së kaluarës. Hollësitë rreth financimit të disa prej këtyre projekteve të mëdha nuk dihen dhe skeptikët kanë dyshime nëse të gjitha projektet do të bëhen realitet.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime rreth punëtorëve që ndërtojnë këto projekte të reja. Grupe të të drejtave të tyre thonë se shumë punëtorë, pjesa më e madhe nga Azia Jugore, përballen me kushte të rënda jetese dhe pune. Disa prej tyre janë përshkruar edhe si skllevër të vërtetë.

Abdul Rahim Yousif al-Awadi, ndihmës ministër i Jashtëm për çështje ligjore, thotë se vendi i tij është i angazhuar për të parandaluar shfrytëzimin e punëtorëve të huaj.

"Ne kemi ligje dhe njerëz të trajnuar për të zbuluar dhe luftuar këto lloj krimesh. Mendoj se ne jemi gati për të ardhmen".

Ndërsa trazirat në rajon vazhdojnë, Dubai duket se është në pozita të mira për të vazhduar përfitimet ekonomike. Nick Tolchard kryeson firmën Invesco Middle East.

"Është e qartë se Pranvera Arabe është një proces shumë vjeçar dhe kjo do të thotë se gjithë ky kapital që hyn në Emiratet e Bashkuara Arabe ka të ngjarë të qëndrojë në këtë vend për një kohë të gjatë".

Banka HSBC me qendër në Britani thotë se vërshimi i kapitalit në Emiratet e Bashkuara Arabe mund të rritet me 370 milion dollarë në vit.
XS
SM
MD
LG