Lidhje

Duhani në mëngjes, mund të jetë më i rrezikshëm


Rreziku i pirjes së duhanit për shëndetin është i njohur, përfshirë kancerin, emfizemën dhe sëmundjet e zemrës. Por studimet e reja tregojnë se kur pi duhan sapo zgjohesh në mëngjes, rreziku mund të jetë edhe më e i madh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Joe de Capua njofton.

Duhani mbetet shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo organizatë vlerëson se 6 milionë vetë vdesin çdo vit nga sëmundje që lidhen me duhanin, pjesa më e madhe në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Një studim i ri i hedh një vështrim duhanpirësve që ndezin cigare sapo zgjohen në mëngjes. Studiuesit e Universitetit Penn State thonë se këta persona janë më të prirur që të preken nga kanceri i mushkërive ose i gojës.

Steven Branstetter është ndihmës profesor i metodave biologjike që studiojnë sjelljet me pasoja për shëndetin.

“Për shumë vjet, një nga mënyrat që janë ndjekur për të studiuar varësinë nga nikotina ishte Prova Fagerstrom e Varësisë nga Nikotina. Ishin rreth 8-10 pyetje dhe një prej tyre ishte ishte sesa herët pasi zgjohesh, pi cigaren e parë, një nga treguesit më të saktë të varësisë, më i saktë edhe se numri i cigareve që dikush konsumon në ditë”.

Ai dhe kolegu i tij, Profesor Joshua Muscat mendojnë se e dijnë arsyen.

“Ne mendojmë se është një tregues i mënyrës sesi njerëzit e konsumojnë duhanin. Njerëzit që pijnë duhan sa zgjohen në mëngjes, e thithin më thellë tymin. Ata ndoshta e thithin më shpesh cigaren. Prandaj është në të vërtetë më shumë një tregues i mënyrës sesi konsumohet duhani”.

Thithja më e thellë dhe e shpeshtë, mbajtja e duhanit më gjatë në mushkëri, e rrit rrezikun për të gjitha toksinat.

“Por çka është më e rëndësishme, është se ata po ekspozohen ndaj një nitrosamine apo kancerogjeni që është specifik për nikotinën”.

Kjo është diçka që shkakton kancer. Profesor Branstetter thotë se ky kancerogjen quhet NNK. Ndërsa trupi e metabolizon atë, prodhohet një substancë që quhet NNAL. Kjo gjendet në nivele të larta tek njerëzit që pijnë duhan sapo zgjohen nga gjumi.

“Prania e lartë e kësaj substance, e rrit rrezikun. Sa? Nuk e dimë ende me siguri. A varet ky rrezik nga veprimet e njerëzve? As për këtë nuk jemi të sigurt. Është ende një fazë e hershme e studimeve. Por ne e dimë që kur ajo dallohet në analiza, tregon se rreziku i kancerit të mushkërisë është më i madh”.

Zbulimet e studimit mbështeten në të dhëna nga afro 2 mijë të rritur që pijnë duhan. Mbi 30 për qind thanë se e kishin pirë cigaren e parë të ditën brenda pesë minutash nga zgjimi. Pothuajse po aq vetë thanë se kishin thithur cigaren e parë nga 6 deri në 30 minuta pasi u zgjuan.

“Disa vetë kanë shtruar pyetjen a duhet të pijnë duhan më vonë gjatë ditës, a do të ndihmonte një gjë e tillë. Përgjigjia është që nuk e dimë ende. Njerëzit nuk janë të vetëdijshëm as vetë sesa varësi kanë krijuar. Rekomandimi është që nëse pi duhan, mbaje mend sesa kohë pasi je zgjuar e ke pirë cigaren e parë. Kjo do të ishte një tregues i mirë i jo vetëm për nivelin e rrezikut nga kanceri i mushkërisë, por edhe i varësisë nga nikotina”.

Studiuesit e Universitetit Penn State thonë se hapi i ardhshëm është që t’u jepen duhanpirësve paisje që masin në mënyrë shkencore sesa thellë ata thithin duhanin gjatë ditës. Këto gjetje botohen në numrin e 29 marsit të revistës shkencore Kancer, Epidemiologji dhe Parandalim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG