Lidhje

Dorëhiqet nënkryetari i parlamentit Dule


Kreu i PBDNJ-së largohet pas votimit në të njejtin post dhe të kryetarit të PDIU-së Shpëtim Idrizi. Polemika në distancë mes dy forcave politike

Në Shqipëri, nënkryetari i parlamentit Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, PBDNJ, e cila përfaqëson interesat e minoritetit grek në vend, dha sot dorëheqjen, pasi shumica votoi po në të njejtin post kryetarin e partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, Shpëtim Idrizi. Partia e zotit Idrizi, e cila përfaqëson popullsinë came, deri para pak kohësh në opozitë, u përfshi në koalicionin e majtë pas një marrëveshje me socialistët e kryeministrit Edi Rama. Marrëveshja parashikon jo vetëm bashkëpunimin në zgjedhjet e ardhshme vendore të 21 qershorit, por edhe përfshirjen e PDIU-së në nivel qeverisje qendrore.

Zoti Dule, gjithashtu pjesë e koalicionit qeveritar, në tekstin e dorëheqjes e shpjegoi vendimin e tij me “shndërrimin e institucioneve në “plackë” këmbimi në tregun e aleancave fluide, që bie ndesh me parimet, botëkuptimin dhe ndërgjegjen time politike”, shkruan zoti Dule.

Marrëdhëniet mes PBDNJ-së dhe PDIU-së kanë qenë gjithnjë të acaruara. Partia e zotit Idrizi mbron të drejtën e popullsisë came për njohjen e pronësisë mbi pasuritë e tyre në territorin grek, nga ku ata u dëbuan me forcë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë zoti Dule ka mbrojtur gjithnjë linjën e cila përkon me atë të Athinës se nuk ekziston asnjë “Cështje came”, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në një reagim të saj për dorëheqjen e zotit Dule, PDIU flet për një “veprim të pabesë” të kryetarit të PBDNJ-së. “Ky largim ishte tërësisht i papritur dhe nuk ishte kurrfarë kushti për emërimin e zotit idrizi. Shqiptarët e Çamërisë, të cilët zoti Idrizi përfaqëson, gjithmonë kanë bashkëjetuar me popullin grek, qoftë brenda kufijve aktualë të Shqipërisë, qoftë jashtë tyre”, shkruhet në deklaratën e PDIU-së, ku theksohet se ai vetë “ka ndërruar në mënyrë fluide disa herë shtëpinë e tij politike”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG