Lidhje

Gjen. Dunford: Rusia, rreziku më i madh për sigurinë e SHBA


Komandanti i Korpusit amerikan të Marinsave tha të enjten se Rusia përbën rrezikun më të madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe se qëndrimi i saj është “jashtëzakonisht alarmues”.

Gjeneral Joseph Dunford, i emëruari për postin e Shefit të Shtatmadhorisë foli në seancën e Senatit për konfirmimin e tij, pasi u pyet nga senatori demokrat Joe Manchin se cilin “konsideronte rrezikun më të madh ndaj sigurisë kombëtare” amerikane.

“Vlerësimi im sot senator, është se Rusia përbën kërcënimin më të madh ndaj sigurisë sonë kombëtare”, tha gjenerali Dunford.

“Prandaj nëse doni të flasim për një vend që paraqet rrezik ekzistencial ndaj Shteteve të Bashkuara, do ta drejtoja gishtin nga Rusia. Dhe nëse shihni veprimet e tyre, është absolutisht alarmuese”.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit kanë rënë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, që kur Rusia aneksoi rajonin ukrainas të Krimesë vitin e kaluar.

Nëse konfirmohet kandidatura e tij, gjenerali Dunford do të zëvendësonte gjeneralin e ushtrisë, Martin Dempsey që pritet të lërë detyrën në shtator pas një periudhe të vështirë prej katër vjetësh në detyrë gjatë të cilave shumica e trupave amerikane u tërhoqën nga Afganistani por mijëra u kthyen në Irak.

Dunford ka përvojë nga të dyja luftrat dhe para se të bëhej komandant i marinsave në fund të vitit 2014, udhëhoqi trupat amerikane dhe ndërkombëtare në Afganistan gjatë procesit të transferimit të përgjegjësive tek forcat afgane ndërkohë që vazhdonin luftimet ndaj talebanëve.

Ai mori pjesë edhe në ndërhyrjen në Irak në vitin 2003 si një nga drejtuesit ushtarakë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG