Lidhje

Durrës: Zonat ushtarake në zona turistike


Ne periferite veriore te qytetit te Durresit disa zona ushtarake po kthehen me shpejtesi ne zona turistike. Izolimi i ka ruajtur te pastra keto zona, qe perbehen nga plazhe te vogla, dhe pamje te bukura. Sipas banoreve, sfida mbetet qe ato te mbrohen dhe te mos pushtohen me ndertime te rremujshme, si ka ndodhur ne zona te tjera te Durresit.
Vetëm 3 kilometra nga qendra e Durrësit plazhet e Kallmit po zbulohen nga përherë e më shumë turistë, tani që është hequr statusi i tyre si zona të izoluara ushtarake. Janë shumica të rinj ata që i drejtohen Kallmit për pushim ditor, ku pas një rruge të keqe, gjejnë mjedise dhe lokale tërheqëse. Plazhet e Kallmit nuk njihen mirë as nga vetë banorët e Durrësit, ngaqë ka qenë zonë e ndaluar, por kjo ka bërë të ruhet aty uji i pastër, qetësia, plazhe të vogla me gurë dhe pa ndërtime të rrëmujshme.
Për shkak të mbipopullimit të plazhit jugor, ndotjes së lartë dhe morisë së ndërtimeve, Durrësi mori një famë jo të mirë për turizmin. Por kodrat në veri të qytetit të lashtë me amfiteatër romak fshehin mrekulli natyrore nga ato që janë harruar se mund të ekzistojnë ende në Shqipërinë e tranzicionit, ku u dëmtuan shumë territore me ndërtime masive. Kallmi po rizbulohet pasi ushtria zbrazi e largoi prej andej depo e tunele të panumërt me armë dhe lëndë shpërthyese. Pasi materialet ushtarake u dërguan në vende të sigurta, kodrat u pastruan nga bunkerët e shumtë të diktaturës, ndërsa pronarët e vjetër po mbjellin përsëri ullinj aty dhe po kujdesen për plazhet private.
Plazhet e pastra janë fare pranë qytetit dhe mbyllen larg me Kepin e Palit, por rruga është e pashtruar mungon informacioni dhe nuk ka ndonjë plan rregullues për këtë zonë turistike bregdetare, ndërsa zjarret zhveshin faqen e kodrës në verë dhe shiu në dimër gërryen dherat drejt bregdetit.
Durrësi ka 62 km vijë bregdetare dhe një mori plazhe të reja. Ishmi, Lalsi, Manza dhe Katundi i Ri po lidhen me superstradën Tiranë - Durrës me rrugë të reja, për të zhvilluar turizmin në këto komuna dikur plot bunkerë e të izoluara si reparte artilerie bregdetare apo kundërajrore kundër armikut imagjinar nga perëndimi. Shndërrimi i këtyre zonave ushtarake në zona turistike po bëhet me shpejtësi nga Hamallaj, Rrushkulli dhe Shën Pjetri deri në Kepin e Rodonit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG